Një përqendrim i lartë i një proteine specifike në urinë mund të jetë një tregues i rrezikut të zhvillimit të demencës.
Studimi i madh ka treguar se nivelet e larta të albuminës në urinë, një gjendje e njohur si albuminuria, mund të parashikojë gjithashtu rrezikun e demencës, raporton ScienceAlert.
Ky përfundim vjen nga një studim që përfshinte pothuajse 133 mijë banorë të Stokholmit mbi moshën 65-vjeç që nuk kishin histori të demencës. Ata nën moshën 65-vjeç përjashtohen, pasi edhe 96 për qind e diagnozave të demencës bëhen në këtë grup-moshë më të vjetër. Pas rreth katër vjet ndjekjeje, 7 për qind e pjesëmarrësve zhvilluan një formë të demencës.
Studiuesit nga Holanda e Suedia zbuluan se albuminuria shoqërohej me një rrezik më të lartë të zhvillimit të demencës, edhe pasi u mor në konsideratë funksioni i veshkave dhe faktorë të tjerë përkatës.
Krahasuar me njerëzit me nivele normale të albuminës në urinë (më pak se 30 miligramë/g), ata me nivele të moderuara (30-299 miligramë/g) kishin një rrezik 25 për qind më të lartë, ndërsa ata me nivele të larta (më shumë se 300 miligramë/g) kishin një rrezik 37 për qind më të lartë.
"Veshkat dhe truri mund të duken si organe shumë të ndryshme, por ato ndajnë një karakteristikë të rëndësishme: të dyja varen nga një rrjet delikat i enëve të vogla të gjakut", shpjegoi Hong Xu, një neurolog pranë Institutit Karolinska në Suedi dhe autor korrespondues i studimit.
"Kur enët e gjakut në veshka dëmtohen, i njëjti proces shpesh ndodh në tru. Prandaj, albuminuria është më e lidhur me demencën vaskulare, e cila ndodh për shkak të shkaqeve vaskulare si hipertensioni, diabeti ose goditja në tru. Demenca vaskulare është forma e dytë më e zakonshme e demencës, menjëherë pas sëmundjes së Alzheimerit”, tha ai.
Kjo lidhje konfirmon gjithashtu rezultatet e hulumtimeve të mëparshme nga Norvegjia dhe SHBA.
Në të ardhmen, shqyrtimi për albuminurinë mund të bëhet një mjet i vlefshëm për vlerësimin e hershëm të rrezikut të demencës, veçanërisht te pacientët me diabet, hipertension ose sëmundje kardiovaskulare.
"Zbulimi i hershëm i albuminurisë mund të vonojë ose parandalojë potencialisht fillimin e demencës", përfundon Xu.
Meqenëse ende nuk ka kurë për demencën, theksi mbetet në parandalimin dhe identifikimin e faktorëve të rrezikut.