Njerëzit që përdorin duhan dhe kanabis në të njëjtën kohë tregojnë ndryshime unike në kiminë e trurit, sugjeron një studim paraprak.
Këto gjetje mund të shpjegojnë pse përdoruesit e të dy substancave shpesh kanë varësi më të rënda dhe probleme të shëndetit mendor krahasuar me ata që përdorin vetëm njërën, shkruan Science Alert, përcjell KosovaPress.
Një studim i vitit 2024 tregoi se të rinjtë në SHBA që përdorin si duhan ashtu edhe kanabis kishin më shumë gjasa të raportonin probleme të shëndetit mendor sesa ata që konsumonin vetëm kanabis ose vetëm duhan.
Ekipi krahasoi skanimet e trurit të tetë pjesëmarrësve që përdorën vetëm kanabis me pesë pjesëmarrës që përdorën duhan dhe kanabis. Grupi që përdori të dyja ato kishte nivele dukshëm më të larta të një enzime kyçe, hidrolazës së amidit të acidit yndyror (FAAH), në rajone të shumta të trurit.
Kjo enzimë kontrollon fort nivelet e një neurotransmetuesi të lidhur me ndjenjat e kënaqësisë dhe gëzimit.
Studimet e fundit mbi kafshët kanë sugjeruar që FAAH mund të luajë një rol në mënyrën se si truri reagon ndaj nikotinës, por nëse kjo është e vërtetë te njerëzit mbetet për t'u konfirmuar.
Njerëzit me variante të caktuara të gjenit FAAH dihet se janë në rrezik më të lartë të abuzimit me narkotikët dhe varësisë, dhe gjeni është lidhur gjithashtu me ankthin.
"Kjo është prova e parë te njerëzit e një mekanizmi molekular që mund të shpjegojë pse njerëzit që përdorin si kanabis ashtu edhe duhan kanë pasoja më të rënda", tha autorja kryesore, psikologia Rachel Rabin pranë Universitetit McGill në Kanada.
Një nga sfidat aktuale në kërkimin e kanabisit është ndarja e njerëzve që përdorin vetëm kanabis nga ata që e kombinojnë atë me duhan, një praktikë shumë e zakonshme.
Sipas disa vlerësimeve, deri në 80 për qind e përdoruesve të kanabisit përdorin gjithashtu produkte duhani. Kjo mbivendosje mund të ndikojë ndjeshëm në rezultatet e kërkimit mbi efektet e kanabisit në sëmundjet e mushkërive, shëndetin mendor, trurin dhe funksionin njohës.
Për momentin, duket e mundshme që duhani dhe kanabisi së bashku mund të kenë efekte të ndryshme sesa kanabisi vetëm. Me kalimin e kohës, më shumë studime do ta konfirmojnë ose hedhin poshtë këtë.
Studimi është botuar në revistën "Drug and Alcohol Dependence Reports".