Nëse vëreni se foshnja juaj tërheq flokët, qerpikët ose vetullat e veta, mos reagoni menjëherë. Fillimisht vëzhgojeni për një ose dy javë për të kuptuar kur dhe në çfarë rrethanash e bën këtë.
Tërheqja e flokëve shpesh ndodh në momente të qeta, për shembull kur foshnja është në krevat, ushqehet me gji ose pi nga biberoni. Për shumë foshnja, kjo mund të jetë një mënyrë për t’u qetësuar kur janë të lodhura, të shqetësuara, të mërzitura ose nën stres. Në këtë moshë, sjellja shpesh largohet vetë.
Sipas Baby Center, foshnjat mund t’i tërheqin flokët edhe nga kureshtja, ndërsa mësojnë lidhjen mes veprimeve dhe reagimeve. Në disa raste, ato mund të kuptojnë se kjo sjellje tërheq vëmendjen e prindërve dhe ta përsërisin për këtë arsye, transmeton Gazeta Shneta.
Edhe pse tërheqja e flokëve mund të lidhet me trikotillomaninë, një çrregullim që shkakton tërheqje të përsëritur të flokëve, kjo gjendje zakonisht nuk shfaqet te foshnjat dhe është më e zakonshme në moshat më të mëdha.
Prindërit duhet të flasin me pediatrin nëse tërheqja vazhdon për një kohë të gjatë, shfaqen zona pa flokë ose foshnja i thith apo i ha flokët.
Për ta larguar vëmendjen e foshnjës, mund t’i ofroni lodra shqisore që mund t’i kapë dhe tërheqë, si lodra me tekstura të ndryshme. Nëse flokët janë të gjatë, mund t’ia lidhni ose t’i mbani të shkurtër.
Gjithashtu, shmangni reagimet e forta, si qortimi ose shfaqja e zemërimit. Një reagim i tillë mund ta bëjë foshnjën ta përsërisë sjelljen për të tërhequr vëmendjen. Në vend të kësaj, përpiquni ta ridrejtoni qetësisht vëmendjen e saj drejt një aktiviteti tjetër.