​Kur duhet ta çojmë fëmijën për herë të parë te dentisti? Stomatologu tregon rëndësinë e kontrolleve të hershme

Shëndetësia

​Kur duhet ta çojmë fëmijën për herë të parë te dentisti? Stomatologu tregon rëndësinë e kontrolleve të hershme

Më: 17 tetor 2026 Në ora: 10:54
Fotoilustrim

Kujdesi për shëndetin oral të fëmijëve duhet të fillojë që me daljen e dhëmbëve të parë të qumështit. Kontrollet e hershme te stomatologu janë të rëndësishme për të përcjellë zhvillimin e nofullave, daljen e dhëmbëve dhe për të parandaluar problemet që mund të shfaqen gjatë rritjes.

Kështu ka deklaruar doktori i stomatologjisë, Burnis Beha, në emisionin “Shëndeti Sot” të KosovaPress, ku ka folur për rëndësinë e kujdesit ndaj dhëmbëve të fëmijëve, kontrollet e rregullta dhe ndikimin e ushqimeve me përmbajtje të lartë të sheqerit në shëndetin oral.

Sipas tij, vizitat e rregullta te stomatologu mundësojnë identifikimin dhe trajtimin me kohë të problemeve që lidhen me zhvillimin e dhëmbëve dhe nofullave.

Beha ka theksuar se ndërhyrjet ortodontike te fëmijët janë më të lehta gjatë periudhës së zhvillimit, ndërsa trajtimi i problemeve të caktuara mund të bëhet më i ndërlikuar në moshë madhore.

“Fëmijët në kontroll është, sapo të fillojnë t'i dalin dhëmbët e qumështit. Duhet vazhdimisht me i pru fëmijët në kontroll, shkaku që me e pa sesi po shkon zhvillimi i nofullave, dalja e dhëmbëve. Me kalimin e viteve bëhet edhe planifikimi në qoftë se kanë dalë dhëmbët jashtë vargut ose është nxjerrë ndonjë dhëmb i qumështit para kohe dhe është prishur rrugëtimi i daljes së dhëmbit të përhershëm. Çdo send duhet të jetë vazhdimisht në kontroll te stomatologu, shkaku i pjesës së zhvillimit. Sepse është më lehtë të intervenohet në fëmijë shkaku që janë në zhvillim e sipër dhe ndërhyrjet janë shumë më të lehta dhe më të përballueshme për fëmijë. Sesa kur të arrihet një moshë 25 vjeç e sipër kur është problem edhe me vendos ndonjë aparat ortodontik apo çfarëdo qoftë, sepse veç është faktikisht është pjek kocka nuk është e intervenueshme aq lehtë sa që bëhet te fëmijët. Prapë ka ndikim, po jo sikur te fëmijët që është më shpejt dhe më e thjeshtë”, tha Beha.

Stomatologu ka folur edhe për praktikën e heqjes së dhëmbëve të qumështit në kushte shtëpie, duke theksuar se, ndonëse kjo ndodh shpesh, mënyra më e përshtatshme është që procedura të kryhet te stomatologu.

Sipas tij, heqja e dhëmbëve në ordinancë mundëson respektimin e kushteve sterile dhe trajtimin e duhur të plagës që krijohet pas nxjerrjes së dhëmbit.

“Normalisht, ne i bëjmë të gjitha gjërat në mënyrë sterile dhe nxjerrjet dhe pajisjet, çdo send është sipas rregulloreve edhe qysh duhet. Po edhe te shtëpia na ka ndodh, na kanë nxjerrë edhe neve, nuk është që ka çuar peshë diçka te ajo pjesë sepse kur të është puna me i lëviz dhëmbi është i gatshëm. Edhe prapë mundesh me i bërë zgjidhje, po më e rregullt dhe më e duhura është te stomatologu shkaku i menaxhimit të varrës. Pasi që ka gjakderdhje, dhëmbi kur të largohet është një varrë aty ku duhet me u trajtu pak a shumë se mos me e leju vetëm me lanë ashtu domethënë të hapur”, tha Beha.

Një tjetër shqetësim për shëndetin e dhëmbëve të fëmijëve, sipas stomatologut, është konsumimi i ushqimeve dhe pijeve që përmbajnë sasi të larta të sheqerit.

Ai ka shpjeguar se bonbonet, çokollatat dhe pijet e ëmbla favorizojnë zhvillimin e baktereve në gojë, duke theksuar se higjiena e rregullt orale mbetet thelbësore për parandalimin e problemeve dentare.

“Këto janë shumë të dëmshme, sheqernat në përgjithësi, si bonbonat, çokollatat, lëngjet. Shkaku i sheqernave, sheqernat janë ushqyesi kryesor i baktereve. Ku zhvillohen non-stop, me ushqyeshmërinë prej sheqernave. Të konsumohen pije çokollata ëmbëlsira të ndryshme, por prapë higjiena orale, pastrimi i dhëmbëve është kryesori ku i largon këto baktere. Është mirë me etjen, me e shujt me ujë, sepse shkaku i sheqernave nuk është shumë e lejueshme për anë të higjienës”, tha Beha.

Stomatologu ka theksuar se prindërit kanë rol të rëndësishëm në edukimin e fëmijëve për higjienën orale dhe krijimin e shprehive të shëndetshme që në moshë të hershme.

Sipas tij, pastrimi i rregullt i dhëmbëve, kontrollet te stomatologu dhe kufizimi i konsumimit të ushqimeve e pijeve me sheqer janë ndër masat kryesore për ruajtjen e shëndetit oral të fëmijëve.

Ai ka rekomanduar gjithashtu që fëmijët të konsumojnë ujë për të shuar etjen, në vend të pijeve të ëmbla.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat