Të ngrënit vonë në mbrëmje mund të lidhet me një rrezik më të lartë për sëmundjet e mëlçisë, sugjeron një studim i ri.
Studiuesit zbuluan se personat që konsumojnë rregullisht ushqime të lehta pas darkës, mund të kenë deri në 30 për qind më shumë gjasa për të zhvilluar probleme të caktuara të mëlçisë.
Studimi i botuar në revistën Clinical Gastroenterology and Hepatology, shqyrtoi zakonet ushqimore dhe shëndetin e pothuajse 200 000 të rriturve në SHBA dhe gjeti një lidhje midis të ngrënit vonë natën dhe sëmundjeve të mëlçisë, si mëlçia e dhjamosur dhe cirroza, transmeton KosovaPress.
Ai u përqendrua te sëmundja e mëlçisë e lidhur me disfunksionin metabolik (e njohur si MASLD), gjendje në të cilën yndyra e tepërt grumbullohet në mëlçi, si dhe te cirroza, një gjendje më serioze që përfshin dëmtimin e përhershëm.
Shkencëtarët besojnë se orari i ngrënies mund të luajë një rol, pasi trupi ndjek një orë të brendshme 24-orëshe, të njohur si ritmi cirkadian, i cili rregullon procese të ndryshme, përfshirë metabolizmin dhe gjumin.
Robert Wilechansky, autori kryesor nga Universiteti i Shëndetit dhe Shkencës në Oregon (OHSU), u shpreh se mëlçia është e lidhur ngushtë me këto ritme ditore.
“Ne e dimë se mëlçia është shumë e sinkronizuar me ritmet cirkadiane të trupit. Prandaj, jemi të interesuar të ndryshojmë orarin e ngrënies në një mënyrë që mund të sjellë përmirësime në shëndet, pa pasur nevojë të ndryshojmë përbërjen e ushqimeve që njerëzit konsumojnë", tha ai.
Gjetjet nuk nënkuptojnë se çdo person që zhvillon sëmundjen e mëlçisë së dhjamosur do të zhvillojë më pas cirrozë.
“Është e rëndësishme të dihet se, nga njerëzit që zhvilluan sëmundje të mëlçisë yndyrore, vetëm një pjesë e vogël zhvillon forma serioze të gjendjes si cirroza e mëlçisë”, tha Wilechansky.
MASLD është një nga gjendjet më të zakonshme të mëlçisë dhe mund të zhvillohet kur yndyra grumbullohet në mëlçi. Shpesh shoqërohet me faktorë që përfshijnë peshën e tepërt, diabetin e tipit 2 dhe problemet me sheqerin në gjak ose kolesterolin.