“Letra e Ramës ishte tallje, jo provokim”, Spahia pranon kërkesën e Ramës për mbjellje pemësh në Shkodër

Shkodra

“Letra e Ramës ishte tallje, jo provokim”, Spahia pranon kërkesën e Ramës për mbjellje pemësh në Shkodër

Më: 15 prill 2023 Në ora: 09:09
Bardh Spahia dhe Edi Rama

Kryebashkiaku i Shkodrës, Bardh Spahia, i cili do të kandidojë sërish në 14 maj, ka vendosur të pranojë donacionin e qeverisë për mbjelljen e pemëve në këtë qytet. Edhe pse në studion e emisionit “Të Paekspozuarit”, ai e konsideroi kërkesën zyrtare të kryeministrit Edi Rama si tallje dhe jo provokim, Spahia premtoi se do bashkëpunonte me qeverinë në këtë aspekt. Ai kritikoi kryeministrin dhe mazhorancën se nuk kanë bashkëpunuar institucionalisht mes tyre. 

“Nuk e mora si provokim, por si një tallje. Shkodra me problematikat që përcjell, ka aspekte ku do të duhej vëmendja e kryeministrit dhe ndërhyrja e strukturave. Duhet të ishte një varg i gjatë komunikimesh dhe qeverisjes qëndrore, ç’ka ka mungua”, tha Spahia në emisionin “Të Paekspozuarit” mbrëmjen e 13 prillit. Ndërkohë, dje u publikua në media, përgjigjia e Spahisë për Ramën duke i vendosur në kontakt për mbjelljen e pemëve Drejtoreshën e Mjedisit të Pyjeve në Bashkinë Shkodër, Aida Shllaku. “Z.Edi Rama!

Në përgjigje të shkresës suaj, datë 07.04.2023, administruar pranë Bashkisë Shkodër me nr. prot. 5116, dat 11.04.2-23, vendos në dispozicionin tuaj si pikë kontakti, zj. Aida Shllaku, Drejtoreshë e Mjedisit të Pyjeve, pranë institucionit tonë. Kontakt: mjedisi@bashkiashkodër.gov.al”, shkruhet në përgjigjen e kryebashkiakut të Shkodrës Spahia për kryeministrin Rama.

Shefi i mazhorancës ka nisur fushatën për mbjelljen e pemëve në mbarë Shqipërinë, me premtimin e shkurtimit të fondeve për fushatë propagandistike dhe për të ulur klimën konfliktuale dhe propagandistike mes palëve politike.

“Duke filluar nga data 11 prill, PS dëshiron të zhvillojë përveç aktiviteteve të tjera, edhe mbjellje pemësh në territorin e bashkisë tuaj. Për sa më lart, duke shpresuar se ju do të pranoni donacionin e Partisë Socialiste, ju lutem të na vini në dispozicion një kontakt pune, që të informohemi për pikat e mundshme të mbjelljeve, si dhe të sigurohemi për përgatitjen e nevojshme të truallit për t’u mbjellë”, iu drejtua Rama me letër Spahisë.
 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat