Situatë e qetë pas reshjeve në Shkodër, strukturat e emergjencave në gatishmëri

Shkodra

Situatë e qetë pas reshjeve në Shkodër, strukturat e emergjencave në gatishmëri

Më: 16 nëntor 2026 Në ora: 09:48
Shkodër

TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Situata në territorin e qarkut Shkodër paraqitet e qetë në orët e para të mëngjesit të sotëm, pavarësisht reshjeve të shiut të regjistruara gjatë 24 orëve të fundit.

Strukturat e Mbrojtjes Civile dhe kapacitetet e bashkive vijojnë të jenë në gatishmëri për përballimin e çdo situate të mundshme emergjente.

Prefektura e qarkut Shkodër bën të ditur se në bashkitë Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës, Pukë dhe Fushë-Arrëz situata paraqitet e qëndrueshme dhe deri më tani nuk janë evidentuar problematika.

Nga monitorimi i kryer nga Drejtoria e Ujitjes dhe Kullimit Lezhë rezulton se gjatë 24 orëve të fundit në territorin e qarkut Shkodër janë regjistruar rreth 40 milimetra reshje shiu.

Megjithatë, nuk janë konstatuar problematika në argjinaturat mbrojtëse, kanalet kulluese apo në digën e rezervuarit të Shtodrit.

Ndërkohë, hidrovorët e Velipojës janë funksionalë dhe në gatishmëri për të operuar me kapacitet të plotë. Strukturat përgjegjëse vijojnë inspektimet në terren për monitorimin e situatës, evidentimin në kohë të problematikave të mundshme dhe marrjen e masave të nevojshme.

Prefekti i qarkut Shkodër po ndjek nga afër situatën, në koordinim me strukturat e Mbrojtjes Civile të njësive të vetëqeverisjes vendore, me qëllim garantimin e bashkërendimit të veprimeve dhe menaxhimin efektiv të çdo emergjence të mundshme.

Ndërkohë në qytetin e Shkodrës, ekipet e ndërmarrjeve të bashkisë janë në terren, duke pastruar pusetat për të larguar ujin e grumbulluar nga reshjet e shiut në rrugë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat