Basha: Rama mashtron nga frika. Duhet anuluar ligji për arsimin e lartë

Shqipëria

Basha: Rama mashtron nga frika. Duhet anuluar ligji për arsimin e lartë

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 17:50
Lulzim Basha

30 minuta pas daljes së kryeministrit Edi Rama, nga selia blu kryetari i Partisë Demokratike e quajti Paktin për Universtitetin mashtrim të Edi Ramës, nga frika e protestave studentore.

“Pas panikut total që e ka mbërthyer, Edi Rama po mashtron studentët me të ashtuquajturin Pakt për Universitetin. Ai nuk ka asnjë plan dhe asnjë vullnet për të realizuar kërkesat e studentëve. Paketa është një mashtrim i plotë, shenjë e çoroditjes totale të kryeministrit”, deklaroi Basha.

Lulzim Basha analizoi 3 nga zgjidhjet e propozuara nga kryeministri, për të treguar se Edi Rama nuk ka vullnet për të realizuar kërkesat e studentëve: “E marrim me kostot e studimeve, cikërrimat janë riciklim i atyre që ka thënë dhe nuk zgjidhin asnjë nga problemet e vërteta financiare të studentëve dhe konviktet do të përfundojnë brenda mandatit sepse nuk ka as DH Albania as Biba X. Unazën ka kohë për ta prishur. Brenda 6-mujorit do ishte zgjidhje”.

Sipas kryedemokratit, dy janë rrugët e daljes nga kriza në arsim. Së pari, anulimi i ligjit për arsimin e lartë dhe hartimi i një ligji të ri, për të cilin do të nisin konsultimet në fillim të Vitit të Ri.

“Hapi i parë, anulimi i ligjit dhe hartimi i një ligji për arsimin e lartë në konsultime me pedagogë, ku të mishërohen standardet e Europës. Demokratizim dhe jo centralizim, më shumë autonomi, rol më i madh për pedagogët e studentët”, deklaroi Basha.

Hapi i dytë, sipas Bashës, është dyfishim i buxhetit për arsimin e lartë, ku parashikohet zerim i tarifave për familjet me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj: “74 milionë dollarë më shumë sesa ato që janë planifikuar. Për shumicën e studentëve nuk ka zgjidhje tjetër sesa subvencionim të plotë të tarifës, pra që prindërit dhe studentët të mos paguajnë as tarifën “bachelor” dhe master nëse vijnë nga familje me të ardhura nën 640 mijë lekë të vjetra në muaj. Për familjet mbi 640 mijë lekë të vjetra në muaj, përgjysmim tarifash”.

Në llogaritë e kryedemokratit, fatura totale e propozimit të PD-së shkon në 38 milionë dollarë: “Në planin tonë për dyfishim të buxhetit të arsimit të lartë mbeten 37 milionë dollarë të tjerë, për të cilat 5 milionë të ndahen për familjet me nevojë ekstreme ekonomike. Pjesa tjetër e parave, 32 milionë dollarë do të investohen në infrastrukturën konviktore dhe akademike”.

Po ku mund të gjenden këto para’? Lulzim Basha është i bindur se buxheti i vitit 2019 i ka mundësitë, por Edi Rama thotë se ai zgjedh të shpenzojë miliona dollarë për luks dhe projekte korruptive: “105 milionë dollarë që Rama i çon për 7 apo 8 projekteve korruptive për 3 apo 4 njerëz lidhur me të dhe ministrat e tij. Ndaj, zgjidhja është largimi i kësaj bande që të vjedh natën dhe mashtro ditën”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat