Vokshi: Paketa antishpifje, censurë ndaj medies

Shqipëria

Vokshi: Paketa antishpifje, censurë ndaj medies

Më: 6 janar 2019 Në ora: 17:58
Albana Vokshi

Partia Demokratike njoftoi se kryetarja e Komisionit Parlamentar për Çështjet e Mediave, Albana Vokshi ka informuar të gjitha institucionet ndërkombëtare, Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara mbi projektligjet e qeverisë për medien online, duke i konsideruar si projektligje që synojnë kontrollin e kësaj medieje.

Në këtë letër zyrtare, Vokshi raportoi se “projektligjet e qeverisë janë hartuar pa asnjë transparencë dhe konsultim me grupet e interesit apo gazetarët”. Sipas Vokshit, evidentohet se organizatat e pavararura të medies, intelektualë dhe opozita i kanë kundërshtuar ashpër këto nisma që, siç thotë ajo, “kërkojnë të nënshtrojnë medien online përmes një kontrolli politik që shkon nga gjobitja e tyre deri në ndalimin e lirisë së aksesit në internet”.

“Përkundër reagimeve të tilla, qeveria duket se synon të vazhdojë me ndryshimet legjislative duke pasur parasysh që me shumicën e siguruar të votave në Parlament mund të miratojnë edhe ligje të tilla censure”, thotë Vokshi.

Ajo kërkon mbështetje nga organizamat ndërkombëtarë të cilave iu është drejtuar “për t’i bërë presion qeverisë shqiptare të tërheqë dy projektligjet e propozuara të censurës si dhe të bashkëpunojë me organizatat e medies, komunitetin e gazetarëve dhe organizatat ndërkombëtare për të gjetur rrugën e përmirësimit të cilësisë së medies, duke respektuar në të njëjtën kohë lirinë e medies dhe të shprehjes”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat