Basha do të mbledhë Këshillin e ri Kombëtar, ndryshime në Kryesinë e PD-së - Bota Sot
Basha do të mbledhë Këshillin e ri Kombëtar, ndryshime në Kryesinë e PD-së

Shqipëria

Basha do të mbledhë Këshillin e ri Kombëtar, ndryshime në Kryesinë e PD-së

Më: 17 janar 2019 Në ora: 15:40
Partia Demokratike

Partia Demokratike do të mbledhë më 19 janar Këshillin Kombëtar të PD-së për të zgjedhur drejtuesit në forumet më të larta të saj.

Me kërkesë të kreut të PD-së, Lulzim Basha, anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së do të mblidhen të shtunën në orën 11:00 për të përzgjedhur anëtarët e Kryesisë dhe lidershipin e ri të PD-së. Në ndryshim nga zgjedhjet e katër viteve më parë, Kryesia e re e Partisë Demokratike do të jetë më e vogël në numër dhe anëtarët e saj do të përzgjidhen nga një listë shumëemërore e propozuar nga Basha.

Kjo do të jetë mbledhja e parë zyrtare e Këshillit Kombëtar të PD-së që nga zgjedhja e 220 anëtarëve të rinj nga Kuvendi Kombëtar i PD-së, në dhjetor 2018. Sipas statusit të Partisë Demokratike, neni 50 pika 1, Këshilli Kombëtar duhet të zgjedhë këtë të shtunë edhe kryetarin e saj, i cili do të zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit me një mandat 4-vjeçar, raporton Panorama.

ZGJEDHJET

Anëtarët e Këshillit Kombëtar të PD-së do të përzgjedhin të shtunën anëtarët e rinj të Kryesisë së PD-së. Ndryshe nga Kryesia që funksionoi mandatin e parë të Bashës në krye të partisë, në të cilin anëtarët ishin pjesë e këtij organi për shkak të detyrave që mbanin, këtë herë më shumë se gjysma e anëtarëve do të votohen. Sipas statutit të ri të PD-së, të miratuar në prill 2018, anëtarët e Këshillit Kombëtar do të zgjedhin në Kryesinë e PD-së me votim të fshehtë 15 anëtarë, nëpërmjet një numri kandidaturash të paktën sa dyfishi i numrit të vendeve vakante.

Gjithashtu, të shtunën do të zgjidhen edhe nënkryetarët e Partisë, sekretari i përgjithshëm i PDsë dhe katër sekretarët funksionalë. Në Kryesinë e PD-së hyn drejtpërdrejtë pa votë veç kreut të PD-së, edhe zëdhënësja e PD-së, sekretari për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe kryetarët e organizatave partnere( LGDSH dhe FRPD). Burime nga selia blu sqarojnë se është atribut i drejtpërdrejtë i kreut të PD-së, Lulzim Basha, vendimmarrja për t’i bërë publike më herët se mbledhja e Këshillit Kombëtar të PD-së emrat që do të garojnë për çdo post.

Të njëjtat burime pranojnë se për disa nga postet kyçe, kreu i PD-së ka zhvilluar ditët e fundit takime të veçanta për të konfirmuar vullnetin e tyre për të garuar në këto pozicione. Vendimi i Bashës për të thirrur Këshillin Kombëtar të PD-së dhe për të përzgjedhur lidershipin e ri shënon  edhe fundin e procesit të riorganizimit të PD-së, të nisur që pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2017,raporton Panorama.

Image

Gjithashtu, Kryesia e re, e cila do të dalë nga votat e anëtarëve të Këshillit Kombëtar të PD-së, do të ketë vendimmarrje të drejtpërdrejtë në përzgjedhjen e kandidatëve për zgjedhjet vendore. Statuti i ri i PD-së parashikon që Kryesia të vendosë për: kandidatët për kryetarë bashkie, kandidatët deputetë, pas konsultimit me anëtarësinë e plotë të PDSH-së sipas parimit “Një anëtar, një votë” dhe kandidatët për kryetarë të degëve të PDSH-së.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...