Rama në Qytetin Studenti: Rritje cilësore e kushteve në konvikte

Shqipëria

Rama në Qytetin Studenti: Rritje cilësore e kushteve në konvikte

Më: 19 janar 2019 Në ora: 16:25
Studenti

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë Tiranës, Erjon Veliaj vizituan sot kantierin e Qytetit Studenti, ku vijon intensivisht puna për rritjen cilësore të kushteve në konvikte, edhe falë përfshirjes së një sërë sipërmarrjesh që po kontribuojnë në këtë proces transformues.

Aktualisht punimet kanë përfshirë ambientet sanitare, tualete, dushe dhe ambientet e përbashkëta. Janë edhe mbi 2000 dhoma ku do të ndërhyhet në periudhën korrik – gusht, kur studentët që strehohen në to mbyllin vitin akademik.

Faza e rikonstruksionit pritet të zgjasë 2 deri në 3 muaj, ku do punohet hap pas hapi në çdo kat. Gjithashtu, edhe sallat e leximit pritet të rikonceptohen e të rimodelohen nga fillimi në funksion të krijimit të kushteve optimale për studim.

Drejtuesja e punimeve shpjegon ndërhyrjet që po kryhen: “Do bëhet rikonstruksion i gjithë fasadës, ndërsa brenda ka filluar shqepja e pllakave ekzistuese në tualete dhe jemi duke u marrë dhe me prishjen e suvatimit, ku do bëhen dhe 3 kabina dushi te kjo godinë dhe 3 te godina tjetër. Gjithashtu kemi punuar edhe me ndriçimin.”

“Minimumi i garancisë është që të ikë lagështira. Këto godina kanë problemin që janë shumë të vjetra, të amortizuara dhe hidroizolimin e kanë shumë problematik. Kështu që hidroizolimi duhet të jetë baza dhe pastaj, hap pas hapi, të tjerat, por hidroizolimi duhet të jetë baza”, – shprehet Kryeministri Rama, gjatë inspektimit të punimeve në dy nga godinat e konvikteve, ndërsa thekson se është e rëndësishme që mësimi të përfundojë në afatin e duhur, në mënyrë që kjo të mos sjellë vonesa në ndërhyrjen edhe në dhoma.

“Ju falënderojmë për përmirësimin e kushteve të konvikteve, pasi ishte bërë vërtetë e nevojshme kjo ndërhyrje. Shpresojmë që kjo të vazhdojë në të gjitha godinat”, shprehet një studente e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, e cila është e akomoduar në godinën 28/29 të Qytetit Studenti.

Drejtoresha e Ndërmarrjes së Trajtimit të Studentëve Nr.1 (Qyteti Studenti), Anila Shehu tha se një numër i konsiderueshëm dhomash pritet t’i shtohet konvikteve të Qytetit Studenti, pas lirimit të dhomave të zëna nga familjarë.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh se bashkia do kujdeset që të gjitha familjeve t’u sigurohet një strehim alternativ. “Asnjë familje nuk do ngelet pa strehim, ose do marrë një banesë sociale, ose do marrë një bonus qeraje. Por janë shpërblime të viteve ’91- ’92-të, ato vitet e tmerrshme ku militantëve u jepej një dhomë në Qytetin Studenti. Ajo ishe një fazë tranzitore, por nuk mund të jetë faza tranzitore 30 vjet”, – u shpreh Veliaj.

Përveç rikonstruksionit të godinave, në territorin e konvikteve është punuar edhe për shtimin dhe sistemin e hapësirës së gjelbër, ku çdo ndërtim pa leje i prishur është zëvendësuar nga hapësira e gjelbër. ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat