Kush janë dy prokurorët që kandidojnë për SPAK, institucioni që do të burgosë politikanët

Shqipëria

Kush janë dy prokurorët që kandidojnë për SPAK, institucioni që do të burgosë politikanët

Më: 20 janar 2019 Në ora: 19:32
Foto ilustrim

Dy prokurorë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Besnik Muçi dhe Klodian Braho, kanë kandiduar për të qenë pjesë Prokurorisë së Posaçme, që do të funksionojë pranë Strukturës së Posaçme Antikorrupsion.

Por, ndërkohë që vendet vakante u shpallën dy javë më parë, deri më tani kanë kandiduar vetëm dy prokurorë, ndërsa afati përfundon në fillim të shkurtit. Sipas vendimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, SPAK-u do të ketë në trupën e saj 15 anëtarë.

Kandidatët duhet të përmbushin disa kritere, mes të cilave ushtrimi i detyrës së prokurorit për jo më pak se 10 vite, të mos ketë masë disiplinore në fuqi, si edhe dhënie e pëlqimit për kontroll periodik të llogarive bankare dhe të komunikimeve telefonike të tij dhe të familjarëve.

Image
Klodian Braho

SPAK nënkupton krijimin e një gjykate dhe prokurorie të dedikuar vetëm për hetimin, ndjekjen penale dhe gjykimin e korrupsionit, krimit të organizuar si dhe të gjitha veprave penale nga zyrtarë të kaluar dhe aktualë të nivelit të lartë. Me ngritjen e SPAK-ut do të ngrihet Prokuroria e Posaçme dhe Byroja e Hetimit.

Kjo e fundit është një seksion i specializuar i Policisë Gjyqësore, nën varësinë e Prokurorisë së Posaçme. Në mënyrë që të ruhet një marrëdhënie operacionale dhe informuese me shërbime të tjera policore, sidomos për operacione që kërkojnë shumë punë, si kontrolle të befasishme, vëzhgime apo arrestime, ka edhe shërbime të Policisë Gjyqësore.

Image
Besnik Muçi

Këto shërbime të Policisë Gjyqësore varen edhe nga Prokuroria e Posaçme. BKH-ja dhe shërbimet e saj të Policisë Gjyqësore hetojnë veprat penale që janë në juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat