Ekzekutimi i ish specialit të policisë Arben Bilali mendohet të ketë qenë një vrasje e mirëmenduar me pagesë.
Të paktën kjo është pista e deritanishme e hetuesve të cilët kanë nisur tashmë punën e tyre për zbardhejn e krimit që tronditi këtë të mërkurë Tiranën.
50 vjeçari, ish efektiv i policisë, u qëllua në afërsi të banesës së tij në Selitë me breshëri automatiku.
Bilali mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetën në spitalin e traumës në Tiranë për shkak të plagëve të shumta. Të paktën 14 plumba e kanë zënë në trup ish policin.
Hetuesit kanë patur një ditë të zënë nga njëra anë por edhe shpresëdhënëse, pasi banesa e Bilalit ruhej prej mëse 30 kamerash sigurie. E paktë të thuhet se Bilali ruhej prej kohësh nga ndonjë atentat i mundshëm me pagesë, pasi 9 vite më parë i ishte bërë një sulm me pistoletë.
Vrasësit kanë qëndruar në makinën e tyre të tipit benz. Madje nga të dhënat e deritanishme, killeri as që nuk ka dalë fare nga makina apo xhami i saj, duke nxjerrë jashtë mjetit vetëm armën për të qëlluar me breshëri.
Kjo nuk ishte e para tragjedi në familjen e Bilalit, pasi po në vitin 2010, vëllai i tij, Leonard Bilali, ish mundës i “Dinamos”, u qëllua për vdekje me armë në afërsi të stadiumit Dinamo. Përplasja mes familjes Bilali dhe një tjetër fisi, emri i të cilit ende nuk është bërë me dije, mendohet se është dhe pista kryesore e hetimit të policisë, e cila deri më tani ka shoqëruar disa persona që mund të kenë dijeni për ngjarjen e sotme.