Ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, takime në Washington me përfaqësues të lartë amerikanë dhe homologë evropianë - Bota Sot
Ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, takime në Washington me përfaqësues të lartë amerikanë dhe homologë evropianë

Shqipëria

Ministri i Punëve të Jashtme, Gent Cakaj, takime në Washington me përfaqësues të lartë amerikanë dhe homologë evropianë

Më: 8 shkurt 2019 Në ora: 12:13
Gent Cakaj

Ministri në Detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj gjatë qëndrimit të tij në SHBA, në kuadër të ministerialit të Koalicionit Global Kundër ISIS, zhvilloi një seri takimesh me përfaqësues të lartë të administratës, Kongresit dhe Senatit amerikan, si dhe me homologë të tij, Ministra të Punëve të Jashtme të disa vendeve evropiane. Gjatë takimeve, bisedat u fokusuan në cështje të integrimit evropian, bashkëpunimit në kuadër të NATO-s, kryesisë së ardhshme të OSBE-së dhe proceseve të bashkëpunimit rajonal.

Zëvendës Asistent Sekretari amerikan i Shtetit, Mathew Palmer theksoi se Shqipëria mbetet një aleat i vlerësuar dhe i rëndësishëm i SHBA-ve. Palmer përgëzoi Cakajn për kryesinë e radhës së OSBE nga Shqipëria në 2020 dhe e siguroi për mbështetjen e SHBA-ve gjatë saj. Ndërsa Cakaj vlerësoi bashkëpunimin e frytshëm dhe asistencën e çmuar që SHBA-të i kanë dhënë Shqipërisë, si në reformat e brendshme, sidomos atë të drejtësisë, ashtu edhe në agjendën rajonale, evropiane dhe më gjerë.

Nga ana e tjetër, kongresmeni Engel shprehu mbështetjen e SHBA-ve në kuadër të partneritetit strategjik dhe rakordimit të politikave për çështjet e sigurisë në arenën ndërkombëtare. Në takimin me Senatorin amerikan Gary Peters, bashkëkryetar i Kaukusit Shqiptar, Cakaj shprehu falënderimet për mbështetjen dhe kontributin që kjo platformë ka dhënë në mbështetje të Shqipërisë dhe shqiptarëve, si dhe zhvilloi një bisedë të zgjeruar për sa i përket sfidave aktuale dhe të ardhshme të Shqipërisë ku, kryesisht, u ndal në reformat e brendshme, zhvillimet e fundit në rajon dhe pritshmëritë në kuadër të proceseve integruese të Shqipërisë në BE.

Cakaj e zhvilloi takimin e fundit me Zëvendëspresidentin për Evropën e Këshillit Atlantik, Damion Wilson, me të cilin u shkëmbyen mendime për situatën aktuale në BE, sfidat dhe pritshmëritë e Shqipërisë për hapjen e negociatave në qershor, raportet mes vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe rolin e Shqipërisë në këtë kuadër. Gjithashtu diskutuan mbi kontributet e Shqipërisë në kuadër të NATO-s dhe për mundësinë e organizimit këtë vit të aktiviteteve të përbashkëta, duke qenë se viti 2019 shënon edhe 10-vjetorin e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.​

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...