Shkëlzen Berisha: Pse ka Taulant Balla frikë …

Shqipëria

Shkëlzen Berisha: Pse ka Taulant Balla frikë …

Më: 27 shkurt 2019 Në ora: 15:39
Shkëlzen Berisha

Sot është zhvilluar seanca gjyqësore Balla-Berisha, ku ky i fundit e akuzon kreun e grupit parlamentar të PS për shpifje.

I pranishëm në seanca ishte vetëm djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, i cili kërkoi dënimin e Taulant Ballës për shpifje.

Në përfundim të seancës, Berisha tha se Balla nuk ishte i pranishëm pasi nuk jep dot shpjegime për udhëtimet jashtë Shqipërisë me trafikantin e drogës, Edmond Bego.

“E rëndësishmja në këtë seancë është fakti që vetë dokumentacioni që ka sjellë para gjykatës i akuzuari, të cilin e ka marrë gjatë komisionit parlamentar vërteton që unë kam paguar 16 mln lekë taksa dhe i akuzuari ka qenë në dijeni të kësaj pagese në momentin kur ka kryer shpifjen. Kjo është e rëndësishme sepse kjo provon që shpifja ka konsumuar veprën penale me shpifje në fjalë sepse ka qenë në dijeni të faktit që po bën një deklaratë të rreme.

Pretendimet e palës tjetër ishin që ne nuk kemi qenë në dijeni të këtyre taksave. Kemi pasur qëndrime të tjera, por është e vështirë të kesh qëndrime të palës kur pala mungon.

I pandehuri nuk është sot në gjykatë. Kam dyshim se arsyeja që nuk është në gjykatë është se nuk ka dashur të japë përgjigje për mbi 20-30 udhëtime që ka kryer me trafikantin e drogës Edmond Bego në vendet e Evropës. Nuk ka dashur të shpjegojë se pasi është kthyer nga këto udhëtime zoti Bego ka fituar në kundërshtim me ligjin mbi 6 mln dollarë para nga taksat e shqiptarëve, ndërkohë që nuk duhet t lejohej të merrte pjesë në garë dhe jo më të fitonte.

Pas përfundimit të procesit penal, patjetër që do të shoqërohet me një tjetër padi civile. Vlera do të përcaktohet pasi të konsultohem me avokatin tim, ekonomistin tim dhe më pas do të dalë një vlerë e qartë”, u shpreh Shkëlzen Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat