Negociatat për anëtarësimin në BE, Cakaj kërkon dialog të brendshëm

Shqipëria

Negociatat për anëtarësimin në BE, Cakaj kërkon dialog të brendshëm

Më: 11 mars 2019 Në ora: 16:46
Gent Cakaj

Në Këshillin e Integrimit, Ministri i Jashtëm në detyrë Gent Cakaj tha se Shqipëria në qershor pret vendim pozitiv për negociatat, duke theksuar se janë plotësuar të gjitha rekomandimet. Cakaj apeloi se tashmë është momenti për dialog jo vetëm me be-në por dhe me faktorët brenda vendit. Ndërsa Taulant Balla, tha se mungesa e opozitës nuk do të pengojë punën për integrimin.

Ministri i  Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, raportoi mbi procesin e përmbushjes së kritereve për çeljen e negociatave, ndërsa i bëri thirrje faktorëve politikë që të bashkëpunojnë për këtë moment.

Në Këshillin e Integrimit, Cakaj tha se tashmë kërkohet një dialog intensiv me vendet e BE-së por edhe një dialog i brendshëm.

Gent Cakaj: Situata në Shqipëri është duke u polarizuar dhe ky nuk është thjesht një proces që kërkon dialog me vendet anëtare të BE-së, por mbase edhe dialog të brendshëm politik për të siguruar konsensusin e nevojshëm në implementimin e reformave të kërkuara në dritën e këtij objektivi.

Por nënkryetari i Këshillit të Integrimit, Taulant Balla, tha se pavarësisht djegies së mandateve dhe mungesës së opozitës, puna e mazhorancës për integrimin nuk ndalet.

Taulant Balla: Kjo nuk do të thotë që puna jonë të mos vijojë normalisht.

I pyetur në Këshill nëqoftëse zgjedhjet brenda Parlamentit Europian mund të shtyjnë negociatat, Cakaj tha se vonesa mund të ketë vetëm publikimi i raportit por jo dhënia e vendimit në qershor.

Ndërsa për mundësinë e shtimit të vendeve skeptike, ai u përgjigj:

Gent Cakaj: Po vazhdon puna në ndërgjegjësimin e shteteve anëtare, të cilat janë relativisht skeptike ndaj procesit të zgjerimit në terësi.

Këshilli i Integrimit, pas disa muajsh pushim, zhvilloi mbledhjen e parë për vitin 2019, ndërsa u raportua edhe për ecurinë e refomës në drejtësi, si një nga kriteret themelore.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat