OST, 100 mln euro pa tender. Ua jep kinezëve

Shqipëria

OST, 100 mln euro pa tender. Ua jep kinezëve

Më: 12 mars 2019 Në ora: 15:11
Operatori i Sistermit te Transmetimit

Operatori i Transmetimit të Energjisë kërkon të realizojë 100 milionë euro investime në rrjet përmes një procedurë të veçantë duke anashkaluar ligjin e prokurimeve publike. Procesi ka nisur zyrtarisht në datën 28 dhjetor të vitit të kaluar, nga ish-administratori i OST, Klodian Gradeci, më vonë i shkarkuar pas skandalit të DH Albanias.

Përmes një shkrese drejtuar Ministrisë së Financave, asaj të Energjisë dhe Entit Rregullator, OST ka kërkuar dritën jeshile për të për të kontraktuar një kompani private, e cila do të bëjë ndërhyrjet në të gjithë rrjetin vendas të transmetimit me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet për 15 vjet. Por OST thotë se ky nuk është koncesion.

“Procedura e cila kërkohet të ndiqet nuk është PPP, por do të realizohet nëpërmjet marrjes së një huaje tregtare (pa garanci sovrane) nga të tretë, hua e cila do te sigurohet nga kompania, e cila do të fitojë edhe realizimin e këtij investimi”.

Pra privati do të marrë 100 milionë euro hua në bankë me interesa të larta tregtare, do të bëjë po vetë punimet dhe në fund shteti shqiptar do të shlyejë faturën.

Por çfarë qëndron pas projektit, nisja e të cilit vitin e kaluar ka patur edhe dakortësinë e Ministrisë së Energjisë? Top Channel ka mësuar se bëhet fjalë për një kompani kineze, e cila vjet ka patur kontakte të vazhdueshme me ministrinë e energjisë dhe OST-në. Madje është kjo kompani, e cila ka bërë studimin e rrjetit duke përcaktuar, pikat se ku duhet ndërhyrë dhe faturën e investimeve.

Aktualisht projekti është në Ministrinë e Energjisë, e cila më parë kishte dhënë dakortësinë për nisjen e kësaj procedure. Por pas rrotacionit të ministrave që ndodhi në fillim të vitit, mbetet e paqartë nëse Ministria e Energjisë do të vazhdojë me procedurën kontroverse, që anashkalon ligjin e prokurimeve publike, kufizon garën në tender dhe ngre një sërë pikëpyetjesh të tjera.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat