Banorët e Dropullit protestojnë për transportin: Duam linjën e vjetër

Shqipëria

Banorët e Dropullit protestojnë për transportin: Duam linjën e vjetër

Më: 5 prill 2019 Në ora: 12:34
Foto

Mënyra sesi po funksionon transporti publik, për disa dhjetëra fshatra të Dropullit të Sipërm dhe të Poshtëm, nuk duket se po përmbush nevojat e banorëve.

Ata pretendojnë se kostot janë shumëfishuar dhe se zgjidhja e pastudiuar po cënon cilësinë e jetës. Banorët madje, kujtojnë se edhe në kohën e diktaturës, komunikimi ka qenë më i mirë sesa sot.

Ata kanë protestuar dje duke kërkuar rikthimin e transportit ekzistues.

Niko Beci, drejtuesi i linjës së pezulluar për 14 fshatra të thellë të Dropullit të Sipërm, thotë se me licencën dhënë një kompanie që nuk e njeh rajonin, qindra të moshuar që kanë nevojë për shërbim transporti, që niset nga fshatrat e tyre, e kanë tashmë të paralizuar lëvizjen.

Kompanitë lokale janë duke u mbështetur edhe nga Bashkia e Dropullit, e cila argumenton se ligji nuk është funksional për bashkitë e vogla, për të cilat duhej dhënë zgjidhje specifike.

Bashkia e Dropullit nuk ka pranuar t’i japë orare nisjeje agjencisë së re dhe as të përcaktojë vendqëndrime për mjetet. Kështu, kaosi i orareve e ka rritur edhe më shumë konfuzionin për transportin.

Që prej janarit të vitit 2017, bashkive iu hoq e drejta për licencimin e subjekteve për transportin e udhëtarëve, e këtë kompetencë e mori Ministria e Transporteve, që në atë moment vetëm sa e pezulloi, por nuk i dha asnjë zgjidhje transportit.

Bashkia u detyrua të rifreskojë kontratat në kundërshtim me ligjin. Por, përtej procedurave ligjore të licencimit, duket se zgjidhja e dhënë ka paralizuar lëvizjen për dhjetëra të moshuar që jetojnë në skaje të largëta të qarkut, deri buzë kufirit me Greqinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat