“Nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrje zgjedhjesh” A po tërhiqet Gjermania nga kriza politike në Shqipëri?!

Shqipëria

“Nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrje zgjedhjesh” A po tërhiqet Gjermania nga kriza politike në Shqipëri?!

Më: 28 maj 2019 Në ora: 18:59
Mark Hauptmann

Deputeti gjerman i koalicionit qeverisës CDU/CSU Mark Hauptmann, deklaron se ata nuk kanë të drejtë të kërkojnë shtyrje të zgjedhjeve në një shtet të pavarur si Shqipëria.

Mesazhi vjen disa ditë pas një deklarate të përbashkët të dy kolegëve të tij deputetë Johann David Wadephul dhe Christian Schmidt të cilët përmes Deutsche Welles u shprehën se Gjermania është e gatshme të ndërmjetësojë krizën politike në vend dhe se asgjë nuk duhet të jetë tabu për zgjidhjen e saj, përfshi këtu dhe shtyrjen e zgjedhjeve.

Por sipas deputetit Hauptmann, kjo do të ishte një shkelje pasi “De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit”.

Reagimi i sotëm i Hauptmann duket si një tërheqje e CDU/CDSU-të për t’u bërë ndërmjetësuesja e zgjidhjes së një krize që duket nuk po mbaron në Shqipëri.

Deklarata e plotë e deputetit gjerman:

“Është e vërtetë se po ndjekim me shumë shqetësim krizën e brendshme në Shqipëri. Për hir të së ardhmes Europiane të Shqipërisë, duhet të zhvillohet dialog midis qeverisë dhe opozitës, si dhe të dyja palët duhet t’i qasen njëra-tjetrës duke qënë të gatshme për kompromis për të mirën e stabilitetit demokratik. 

Nuk është e zakonshme për ne të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Si grup parlamentar, ne nuk kemi të drejtë të kërkojmë shtyrjen e zgjedhjeve në një shtet të pavarur. De facto, kjo do të mund të konsiderohej si një kërkesë për të ndryshuar Kushtetutën e Shqipërisë dhe ligjin zgjedhor të vendit. Si pasojë do të lindnin pyetje mbi sovranitetin e një shteti të huaj. Stabiliteti demokratik po ashtu përfshin detyrimin për të respektuar rregullat e legjislacionit ndërkombëtar“, -shkruan deputeti gjerman

DEKLARATA E PLOTE E WADEPHUL DHE SCHMIDT:

“Po e vëzhgojmë me shqetësim të madh krizën e brendshme në Shqipëri. Për të ardhmen evropiane të Shqipërisë nevojitet dialogu mes qeverisë dhe opozitës. Për këtë, të dyja palët duhet të afrohen me njëra-tjetrën dhe të jenë të gatshme për kompromise.

Protestat e përsëritura në Shqipëri janë një shenjë e pakënaqësisë së shumë qytetarëve. Ne bëjmë thirrje që protesta të jetë paqësore. Aktet e dhunës i dënojmë thellësisht. Është përgjegjësia e vendimmarësve të politikës që të sillen të arsyeshëm në këtë situatë dhe që me të gjitha forcat të përpiqen për ta qetësuar gjendjen. Nëse kjo nuk do të ndodhë, ekziston rreziku që vendit t’i mbyllet rruga drejt Evropës.

Ne jemi edhe më tej të gatshëm që të kontribuojmë për hapjen e një dialogu ndërmjet qeverisë dhe opozitës për të kapërcyer krizën. Por kjo mund të funksionojë vetëm nëse të dyja palët hyjnë në bisedime pa vendosur parakushte. Gjithashtu nuk duhet të përjashtohet asnjë temë.

Zgjedhjet pa pjesëmarrjen e opozitës janë problematike në aspektin demokratik. Prandaj duhen vënë në tryezë të gjitha opsionet që u garantojnë qytetareve dhe qytetarëve mundësi të vërteta për të zgjedhur në zgjedhjet lokale. Këtu hyjnë edhe masa të jashtëzakonshme, si për shembull, shtyrja e datës së zgjedhjeve lokale. Qëllimi më i lartë duhet të jetë kthimi pa ekuivok në procedurat demokratike dhe respektimi i standardeve të shtetit të së drejtës në zgjedhje.

Bashkësisë ndërkombëtare nuk i interesojnë konfliktet politike ndërpartiake, por stabiliteti demokratik.” 

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat