Cukali mohon vrasjen e Bilalit

Shqipëria

Cukali mohon vrasjen e Bilalit

Më: 1 qershor 2019 Në ora: 16:48
Gjergj Cukali

Gjergj Cukali i arrestuar për vrasjen e Arben Bilalit mesditën e 30 Janarit do të qëndrojë në burg deri në përfundim të hetimeve. Përballë gjykatës, përmes avokatëve të tij mbrojtës Cukali ka mohuar akuzat e Prokurorisë.

Seanca në ngarkim të Cukalit u zhvillua me dyer të mbyllura për shkak të ruajtjes së sekretit hetimor. I arrestuari nuk pranoi të fliste, por gjatë kohës që qëndroi në sallë u pa të komunikonte vetëm me avokatin. Prova kryesore që u paraqit nga organi i akuzës,  ishte profili i ADN-së që është përfituar në automjetin me të cilin u krye vrasja, që më pas u gjend i braktisur në Mjull-Bathore. Hetimet nuk kanë përcaktuar ende nëse Cukali ka qenë përsoni që ka shkrepur armën ndërsa edhe motivet mbeten të paqarta.

Fillimisht policia përqëndroi hetimet në pistën e hakmarrjes nisur nga e kaluara e viktimës, ndërsa me arrestimin e Cukalit po kalohen në sitë edhe pista të tjera, si ajo e pazareve të drogës. Për vrasjen e 50 vjeçarit Bilali, në burg është edhe Arben Tirana me akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Kjo është disata herë që Cukali vihet në pranga, por ai ka arritur ti shpëtojë drejtësisë. Kështu, në vitin 2012, gjykimi i shkurtuar i uli në 1 vit e 4 muaj dënimin me 2 vjet burg dhënë nga Gjykata e Tiranës për akuzën e “armëmbajtjes pa leje”.

Pesë vjet më vonë, në Korrik 2017, falë gjyqit të shkurtuar, u dënua me 3 vjet e 6 muaj burg, si pjesëtar i një grupi të angazhuar në shpërndarjen e drogave të forta në kryeqytet. Ndërsa dy muaj më vonë Gjykata e Lartë , ndryshoi masën nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”, pasi Cukali paraqiti një akt-ekspertim mjeko-ligjor, sipas të cilit qëndrimi në qeli i rrezikonte jetën. Edhe kjo masë  u thye prej tij në 2018, veprim që i kushtoi rikthim në qeli.

Por sërish Cukali fitoi përballjen me drejtësinë, pasi Gjykata e Apelit vendosi dënimin me kushtin për tu paraqitur në prokurori për 24 muaj.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat