Kultivimi i çajit të malit, mbi 20 gra punojnë në parcelat në Malin e Gjerë mbi fshatin Goranxi - Bota Sot
Kultivimi i çajit të malit, mbi 20 gra punojnë në parcelat në Malin e Gjerë mbi fshatin Goranxi

Shqipëria

Kultivimi i çajit të malit, mbi 20 gra punojnë në parcelat në Malin e Gjerë mbi fshatin Goranxi

Më: 16 qershor 2019 Në ora: 12:37

Çaji i malit ka filluar të kultivohet në masë në pllajat e maleve të Jugut, ndërsa ekonomia po siguron të ardhura për dhjetëra familje që nuk kanë mundësi të tjera jetese. Mbi 20 gra punojnë çdo ditë në parcelat malore në Malin e Gjerë mbi fshatin Goranxi.

Tani bima ka hyrë në sezonin e vjeljes dhe intensiteti i punës është i lartë. Gratë thonë se vijnë nga Libohova e Nepravishta dhe megjithëse të ardhurat janë sezonale interesi për çajin e malit po rritet kështu që edhe sipërfaqja e kultivuar ka qenë gjithnjë e më e lartë vit pas viti.

“Është i kurues. Çdo gjë është bio këtu, nuk ka asgjë tjetër. Ne punojmë 3 muaj këtu.  Puna fillon në mars dhe mbaron tani në fund të qershorit. Është një mundësi e mirë punësimi sepse të gjithë punojmë”, thotë një zonjë.

Çaji i malit i njohur me emrin shkencor Sideritis Syriaca është në Shqipëri pjesë e librit të kuq të bimëve për shkak të kërcënimit për zhdukje dhe grumbullimi i tij ndalohet me ligj. Ai njihet shkencërisht por edhe në kulturën lokale për aftësitë antioksidante, forcimin e kockës, mbrojtjen nga osteoporoza, pjesëmarrjen ne industrinë e kozmetikës etj .

Sipërfaqja natyrale e çajit është reduktuar me ritme alarmante sidomos gjatë 10 viteve të fundit. Ekspertët prej vitesh kanë folur për grumbulluesit e dhunshëm që i shkulin bimët me rrënjë, ata që vjelin jashtë sezonit, bagëtitë dhe zjarri. Të gjitha së bashku kanë dëmtuar më shumë se 60% të sipërfaqes së dikurshme natyrale të çajit të malit.

Abuzimi sipas specialistëve në të shkuarën ka qenë i lidhur edhe me kompanitë grumbulluese të bimës të cilat për vite me radhë kanë pranuar të mbledhin bimë para stadit të pjekjes duke e zgjatur sezonin e grumbullimit në mënyrë të rrezikshme. Me kultivimin në disa zona çaji i malit ka filluar të rrisë peshën e eksportit të bimëve medicinale. Vetëm nga kjo parcelë me mbi 25 punëtorë në Malin e Gjerë vilen çdo ditë rreth 5 ton bimë e njomë që më pas trajtohet me tharje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat
Sondazh Pas votimit të projektligjeve për shndërrimin e FSK-së në ushtri, a mund të ketë inskenime nga Serbia për një luftë të re në Ballkan?
Loading...