Gati për tryezë dialogu për sfidat e vendit dhe reformën zgjedhore, nuk njoh asnjë 13 tetor

Shqipëria

Gati për tryezë dialogu për sfidat e vendit dhe reformën zgjedhore, nuk njoh asnjë 13 tetor

Më: 17 korrik 2019 Në ora: 21:44
Edi Rama

“Ne jemi absolutisht të disponueshëm për t’u ulur në tryezë me të gjithë, pa asnjë përjashtim dhe paragjykim dhe për të diskutuar për sfidat e vendit dhe atë që është e rëndësishme të adresohet në funksion të rregullave të lojës, reformës zgjedhore”, – deklaroi sot Kryeministri Edi Rama.

Në një prononcim për mediet pas mbledhjes së kryesisë së PS-së, Rama tha se “sa i takon Kushtetutës, ligjshmërisë dhe mandatit tonë qeverisës, këto nuk janë çështje që ne i kemi për diskutim për askënd tjetër, sepse lidhen me detyrimet tona”.

“Ne jemi një shumicë qeverisëse që kemi detyrë të forcojmë kulturën e ligjit dhe kemi detyrimin të mbajmë me nder dhe dinjitet një mandat që na është dhënë për të qeverisur deri në 2021”, – tha Rama.

Interesit të gazetarëve lidhur me dekretin e Presidentit për mbajtjen e 3 palë zgjedhjeve në 13 tetor, Rama deklaroi se “nuk njoh asnjë 13 tetor, është një e diel si të gjitha të dielat që kemi para”, duke shtuar se “zgjedhjet janë bërë në 30 qershor”.

“Ne jemi shumë të angazhuar për të filluar mbarë procesin e qeverisjes vendore. Kemi ngritur edhe 3 këshillat drejtues; në rajonin verior do të jem unë, në rajonin e mesëm Sekretari i Përgjithshëm i PS-së dhe në rajonin jugor Kryetari i Kuvendi. Ky është fokusi ynë. Ne kemi sfidën me problemet e vendit dhe të njerëzve, jo me problemet e brendshme të opozitës jashtëparlamentare apo të Presidencës. 13 tetori për mua është njësoj si 12 tetori, 14 tetori etj. Nuk njoh asnjë 13 tetor. Është një e diel si të gjitha të dielat që kemi para”, – tha Rama.

Kryeministri tha se “është shumë e rëndësishme të ngremë në një nivel të ri dialogun me të gjithë, me qytetarët, sipërmarrjen, me njerëzit e zakonshëm në çdo sektor, pavarësisht bindjeve dhe përkatësive të tyre politike”.

“Duhet të ngremë në një nivel të ri dialogun e brendshëm në parti që do të nisë shumë intensivisht edhe në funksion të zgjedhjeve në çdo organizatë; dialogun me opozitën parlamentare dhe atë jashtëparlamentare”, – shtoi ai.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat