Policia Kufitare iu del në ndihmë pushuesve dhe turistëve, ndërhyn në tre raste të vështira

Shqipëria

Policia Kufitare iu del në ndihmë pushuesve dhe turistëve, ndërhyn në tre raste të vështira

Më: 28 korrik 2019 Në ora: 16:24
Pamje nga vendi i ngjarjes

Policia Kufitare e Shqipërisë ka rritur patrullimin me mjetet e saj lundruese në det dhe është angazhuar maksimalisht për t'i dalë në ndihmë çdo pushuesi që i rrezikohet jeta në det.

Falë ndërhyrjes së shpejtë nga Policia Kufitare dhe FNSH, u është dhënë ndihma e parë 5 shtetasve nga Shkodra dhe Kosova në grykëderdhjen e Vilunit, në lagunën e Rrjollit, të cilët rrezikuan mbytjen.

Pesë shtetasit u transportuan në qendrën spitalore, ku gjendja e tyre shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Po në të njëjtin vend u dha ndihma dhe 9 shtetasve çekë, të cilët kishin mbetur të izoluar dhe në momentin që donin të kalonin grykëderdhjen e Vilunit, jeta e tyre u vu në rrezik. Falë ndërhyrjes së policisë ata kanë dalë në breg pa asnjë problem për jetën.

Njëkohësisht edhe në Sarandë, Policia Kufitare ka shpëtuar një plazhist, i cili u rrezikua të mbytej si pasojë e dallgëve të detit.

Policia e Shtetit iu bën thirrje të gjithë pushuesve të tregojnë kujdes maksimal pasi deti aktualisht është i trazuar dhe me dallgë të mëdha.

Policia e Shtetit sugjeron pushuesit dhe turistët që të shmangin lëvizjet me mjete lundrimi, si motor uji apo varka deri në qetësimin e detit.

Në ndihmë të Policisë Kufitare janë angazhuar maksimalisht edhe shërbimet e Policive Vendore, si dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, me patrullim tokësor.

Për çdo rast nevoje për ndihmë pushuesit mund të telefonojnë në numrin pa pagesë 112 dhe shërbimet e policisë do t’iu dalin në ndihmë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat