Kandidatja e parë për SPAK rrezikon shkarkimin, zbulohen arsyet

Shqipëria

Kandidatja e parë për SPAK rrezikon shkarkimin, zbulohen arsyet

Më: 3 gusht 2019 Në ora: 09:35
Manjola Kajana

Prokurorja për Krimet e Rënda, Manjola Kajana, e kualifikuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë si kandidate potenciale për t’u bërë pjesë e SPAK-ut, mund të shkarkohet nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, organi bazë i Vetingut, më datë 19.06.2019 vendosi të konfirmonte në detyrë zonjën Kajana, pasi kaloi me sukses të tre testet e Vetingut. Por, ditën e djeshme, Komisioneri Publik, ka besuar, teksa i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit të shqyrtojë dhe ndryshojë vendimin e KPK për konfirmimin në detyrë të prokurores Kajana, e cila është përzgjedhur në listën e njerëzve të parë për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, projektuar për goditjen e krimit dhe korrupsionit në nivele të larta.

Shqiptarja.com ka siguruar dokumentin e plotë me argumente të Komisionerit Publik kundër konfirmimit në detyrë të prokurores Kajana.

Argumenti i parë i pretenduar nga Komisioneri për ndryshimin e vendimit të KPK ka të bëjë me përfitimin jashtë kritereve ligjore të një kredie nga prokurorja si e pastrehë në Bashkinë e Fierit. Sipas Komisionerit prokuroja ka paraqitur së rrethana dhe fakte ndryshe nga situata faktike për të përfituar kredinë si e pastrehë, duke cenuar etikën. “Komisioneri Publik, sa më sipër, vlerëson se: përfitimi jashtë kritereve ligjore të statusit si i pastrehë i familjes së subjektit të rivlerësimit, në qytetin e Fierit, ndërkohë që subjekti ushtronte funksionin e prokurores në këtë qytet, mund të jetë rrjedhojë e përfitimit të padrejtë për shkak të funksionit, si dhe e paraqitjes së rrethanave dhe fakteve ndryshe nga situata faktike, duke rënë ndesh me përmbushjen e standardeve të etikës profesionale. Komisioneri Publik, në ndryshim nga përfundimi i Komisionit, në gjendjen që janë aktet, nuk mund të vlerësojë nëse subjekti i rivlerësimit ka cenuar etikën e magjistratit (neni 61/4), e për rrjedhojë, në një vlerësim tërësor të kritereve të rivlerësimit, besimin e publikut në sistemin e drejtësisë (neni 61/5)”, thuhet në ankimimin e komisionerit.

Kontrata e kredisë nuk u ekzekutua

Prokurorja për Krimet e Rënda, Manjola Kajana, ka deklaruar se “kjo kontratë nuk u ekzekutua nga ana e bankës, për shkak se siç na njoftoi banka, pas lidhjes së kontratës, Bashkia e Fierit nuk kishte më kuota në dispozicion për këtë kategori kredish”.

Por, sipas Komisionerit Publik mungesa e finalizimit të marrëdhënies së kredisë me kushte lehtësuese me interes 3% kanë qenë të pavarura nga vullneti i subjektit të rivlerësimit. “Duhet të nënvizojmë se mungesa e finalizimit të marrëdhënies së kredisë me kushte lehtësuese me interes 3%, si dhe mungesa e pasojave juridike të pretenduara, kanë qenë të pavarura nga vullneti i subjektit të rivlerësimit apo bashkëshortit të saj, pasi ata vullnetin e tyre e kanë konkretizuar si me aplikimin për përfitimin e kësaj kredie, ashtu dhe me lidhjen e kontratës për përfitimin e kredisë”, pretendon Komisioneri Publik.

Vendi i banimit

Në ankimim, Komisioneri Publik thotë se prokurorja Manjola Kajana nuk ka plotësuar saktë Deklaratën për Kontrollin e Figurës, tek të dhënat për vendin e banimit. “Komisioneri Publik, sa më sipër, vlerëson se: subjekti i rivlerësimit nuk ka plotësuar saktë Deklaratën për Kontrollin e Figurës, sipas shtojcës 3, të ligjit nr. 84/2016, pjesa 2, të dhëna për vendin e banimit, në rubrikën: “historiku i adresave të banimit nga 1.1.2012”. Gjithashtu mbeten të paqarta lëvizjet e gjendjeve civile dhe deklarimit të banesave të subjektit të rivlerësimit, të kryera nga kjo e fundit, si për shkak të përfitimit nga privatizimi i EKB-së, për banesën në Durrës të vjehrrit të subjektit, ashtu dhe për përfitimin e kredisë si familje e pastrehë në qytetin e Fierit”, thuhet në ankimim.

Të ardhurat e bashkëshortit

Komisioneri Publik ka hedhur dyshime mbi ligjshmërinë e të ardhurave të bashkëshortit të prokurores për vitin 2013 dhe 2014. Në ankimim thuhet se “Bashkëshorti i subjektit të rivlerësimit, në cilësinë e personit të lidhur, ka deklaruar në D. V. 2013 dhe D. V. 2014 të ardhura nga paga pranë shoqërisë …, respektivisht në shumat 600.000 lekë për vitin 2013 dhe 150.000 lekë për vitin 2014, shuma të cilat rezultojnë të jenë depozituar në llogarinë e pagës së bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit, pranë bankës… Instituti i Sigurimeve Shoqërore, me shkresën nr. …prot., datë ….11.2018, ka informuar Komisionin mbi pagat e deklaruara, palët punëdhënëse, si dhe kontributet e derdhura për efekt pensioni pleqërie për subjektin e rivlerësimit dhe personat e lidhur me të. Në informacionin e dërguar nuk ka të dhëna për bashkëshortin e subjektit të rivlerësimit, për periudhën dhjetor 2012 – maj 2015.

Komisioneri Publik, sa më sipër, vlerëson se për këto shkaqe, këto të ardhura, nuk duhet të llogariteshin nga ana e Komisionit si burime të ligjshme të të ardhurave të subjektit të rivlerësimit dhe bashkëshortit të saj”. Gjithashtu, Komisioneri Publik, thotë se ‘nuk është hetuar nga Komisioni mbi mundësinë financiare të subjektit të rivlerësimit dhe personave të lidhur me të, për të mbuluar me burime të ligjshme, shpenzimet dhe kursimet në sistemin bankar’.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat