Opozita e bashkuar: Data e zgjedhjeve është 13 tetori. Çfarë thonë aleatët e Bashës

Shqipëria

Opozita e bashkuar: Data e zgjedhjeve është 13 tetori. Çfarë thonë aleatët e Bashës

Më: 31 gusht 2019 Në ora: 09:29
Opozita

Opozita është e bashkuar për sa i takon “13 tetorit”, datë e dekretuar nga Presidenti Meta për zhvillimin e zgjedhjeve vendore. Ky ishte qëndrimi i dy aleatëve të PD-së, Agron Duka dhe Fatmir Mediu.

Sipas Dukës: “Nuk ka përçarje, sepse për sa i përket qëndrimit ndaj 30 qershorit dhe 13 tetorit, ne jemi në të njëjtën mendim. Nuk i njohim zgjedhjet e 30 qershorit dhe njohim dekretin e Presidentit. Pastaj, pjesa nëse regjistrohet apo jo, është siç thotë Basha, kjo varet nga dëshira e partisë politike por edhe nga situata politike”. Mediu nga ana e tij theksoi se ka pasur një transformim të mesazheve të interpretuara nga media. Sipas tij, çdo diskutim që bëhet brenda opozitës, lexohet si përçarje.

“Mund të ketë mendime të ndryshme dhe për fatin e keq, Media e bën lojë. Në momentin kur opozita ka një debat, përcillet si sherr. Në momentin kur ndahen pazare, bashkëpunohet me krimin, transmetohet si një fenomen normal. Dekreti i Presidentit Meta mund të shqyrtohet vetëm nga Gjykata Kushtetuese. Për sa kohë nuk ka qenë diskutuar nga Gjykata Kushtetuese, çdo veprim i njëanshëm i Ramës apo i KQZ-së si strukturë politike kriminale e Ramës, nuk ka bërë as më shumë e as më pak, përveçse ka shkelur Kushtetutën dhe ligjin. Nuk ka pasur zgjedhje në 30 qershor prandaj ne kërkuam që të regjistroheshim në zgjedhjet e 13 tetorit. Por, për fat të keq, struktura politike e Partisë Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka refuzuar”, theksoi Mediu.

DJEGIA E MANDATEVE

Duka dhe Mediu kanë mendime të ndryshme për sa i përket vendimit të opozitës për djegien e mandateve. Sipas kryetarit të Partisë Agrare Ambientaliste, djegia e mandateve ishte një vendim i domosdoshëm, pasi nuk ekzistonin kushtet që opozita të rrinte më në Parlament.

“Djegien e mandateve, e bëri si pasojë e zgjedhjeve të vitit 2017 dhe të hapësirave të cilat vinin në vazhdimësi duke u ngushtuar në Parlament. Deklaroi që nuk mund të hyhet dhe nuk mund të bëhen zgjedhje me Ramën, nëse nuk shkëputet politika nga krimi. Nëse nuk shkëputet maxhoranca nga krimi. Dhe këto u vërtetuan që maxhoranca me krimin kishin lidhje simbiotike, vazhdojnë sot e kësaj dite”, theksoi Duka. Ndërsa Mediu ishte më kritik ndaj këtij qëndrimi të opozitës. Sipas tij, djegia e mandateve nuk duhej të pasohej me zëvendësim të tyre.

“Unë mendoj që opozita do ta zhvillojë betejën e saj me të gjithë elementët e mundshëm që ka. Në mënyrë të padiskutuar, Parlamenti është një institucion jashtëzakonisht i vlefshëm. Ose lëvizja që do të bënin në Parlament si opozitë, patjetër që nuk duhet të reflektonte plotësimin me vende, me njerëz që tregojnë se jo vetëm që nuk kanë autoritetin, por as dëshirën për të përfaqësuar opozitën, duke e kthyer Parlamentin në një gjë të pavlefshme dhe në një lloj tragjikomedie”, theksoi Mediu.

PROTESTAT

Dy aleatët e PD-së theksuan se opozita do të vazhdojë protestat. Mediu, nga ana e tij, shtoji më tej se krahas protestave opozita duhet të jetë më e zhdërvjellët me ndërkombëtarët.

“Të gjithë së bashku duhet të veprojmë në qasje me qytetarët shqiptarë për të qenë në komunikim të vazhdueshëm me ta. Pra, atë çka është politike dhe elektorale ta kthejmë, në një lloj mënyre, në lëvizje masive popullore. Duhet të jemi shumë herë më të zhdërvjellët me faktorin ndërkombëtar. Opozita ka përgatitur edhe një raport me të gjitha faktet që kanë ndodhur gjatë këtij procesi farsë zgjedhor dhe e ka përcjellë pranë shteteve të bashkuara, BE, në OSBE, në ODIHR, për të parë realitetin shqiptar siç është”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat