Shahini njoftoi shpërndarjen e librave, por në shumicën e shkollave procesi s'ka nisur

Shqipëria

Shahini njoftoi shpërndarjen e librave, por në shumicën e shkollave procesi s'ka nisur

Më: 2 shtator 2019 Në ora: 18:07
Ilustrim

"Viti i Ri shkollor nuk fillon edhe për 2 javë, por përgatitjet i kemi filluar që tani. Duke filluar nga sot data 2 shtator ju mund të shkoni pranë shkollave tuaja dhe të merrni pakot e librave falas", - kështu njoftoi ministrja e arsimit Besa Shahini, mëngjesin e sotëm.

Afrimi i datës për nisjen e vitit të ri shkollor ka shtuar interesimin e prindërve, për të pajisur me tekste fëmijët, por edhe këtë të hënë përgjigja ka qenë mohuese.

Gazetarja: Sipas një njoftimi të Ministrisë së Arsimit të hënën e 2 shtatorit do të niste shpërndarja e teksteve nga klasa e parë deri në të 5. Por sipas një vëzhgimi të realizuar nga televizioni Ora rezulton se në pjesën më të madhe të shkollave 9 vjeçare shpërndarja e librave nuk ka nisur ende.

Burime zyrtare për Televizionin Ora bëjnë me dije se ditën e hënë procesi do të duhej të kishte nisur në të gjitha shkollat e vendit. Por në disa prej tyre shpërndarja është shtyrë për pasdite ose të martën, për arsye teknike.

Librat nga klasa e parë deri në të 5-ën që janë në përdorim falas do të ndahen në shkolla, ndërsa për klasat e tjera në libraritë përkatëse. Prej tyre vetëm fëmijët që ulen për herë të parë në bankat e shkollës nuk do të jenë të detyruar të rikthejnë tekstet. Janë rreth 230 mijë nxënës nga 16 kategori që përfitojnë tekste në përdorim falas për arsimin 9-vjeçar.

Ndërsa në arsimin e mesëm të lartë përfitojnë 18 mijë. Buxhetit të shtetit tekstet do t'i kushtojnë 72 milion lekë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat