Kushtetuesja me 5 anëtarë, në dilemë betimi para Metës. Që Gjykata të marrë në shqyrtim kërkesat duhet … - Bota Sot
Kushtetuesja me 5 anëtarë, në dilemë betimi para Metës. Që Gjykata të marrë në shqyrtim kërkesat duhet …

Shqipëria

Kushtetuesja me 5 anëtarë, në dilemë betimi para Metës. Që Gjykata të marrë në shqyrtim kërkesat duhet …

Më: 12 nëntor 2019 Në ora: 15:48
Besnik Muçi

Gjykata Kushtetuese nga dje ka 5 anëtarë, pas votimit në Parlament të Elsa Toskës dhe Fiona Papajorgjit.

Ato morën 105 vota, ndërsa Arta Vorpsi ishte shpallur e emëruar nga KED pas botimit të vendimit të Komisionit të Emërimeve në Drejtësi në Fletoren Zyrtare. Presidenti Meta zgjodhi kandidatin Besnik Muçi për në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa refuzoi të dekretonte një anëtar tjetër, pasi sipas tij, Kushtetuta parashikon se institucionet duhet të ndjekin një radhë për përzgjedhjen e tyre.

Muçi u betua para Presidentit Meta, ndërsa do të dalë sot para Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, pas ankimimit nga Komisioneri Publik të vendimit të Shkallës së Parë të vetingut. Kontaktet me një biznesmen, i cili ishte në procedim penal, mund t’i kushtojnë Muçit vendin e gjyqtarit në Gjykatën Kushtetuese. Kjo do të kërkonte rihapjen e garës për anëtarin e Gjykatës Kushtetuese.

Besnik Muçi, Arta Vorpsi, Elsa Toska, Fiona Papajorgji dhe Vitore Tusha, e vetmja që i rezistoi vetingut nga trupa e vjetër e Gjykatës Kushtetuese, nuk mund të marrin asnjë vendim për ta bërë funksionale këtë Gjykatë. Do të duhet anëtari i gjashtë, që kjo Gjykatë të nisë të gjykojë çështjet që janë depozituar, duke nisur nga dekreti i Presidentit për zgjedhjet vendore të 13 tetorit e deri te ligjet e denoncuara nga opozita, që shumica presin interpretim kushtetues.

BETIMI

Presidenti Meta, edhe dje e kundërshtoi votimin e anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi, duke mos e njohur këtë procedurë. Nuk dihet nëse Presidenti do t’i thërrasë tri anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese për të bërë betimin në Presidencë. “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës”, thuhet në nenin 129 të Kushtetutës së Shqipërisë. Burime nga maxhoranca thanë dje se mosbetimi i tri gjyqtareve të reja nuk e fut në ngërç funksionalitetin e Gjykatës Kushtetuese, pasi sipas tyre, momenti i betimit është i rëndësishëm, por mbetet ceremonial dhe vetëm sa përcakton ditën e fillimit të mandatit të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese.

Madje sipas maxhorancës, edhe Komisioni i Venecias ka një interpretim për Poloninë, që lidhet pikërisht me betimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese para Presidentit të Republikës. Në këto kushte, nëse tri anëtaret e reja të Gjykatës Kushtetuese nuk do të bëjnë betimin para Presidentit të Republikës, ato do të konsiderohen të emëruara në këtë detyrë pas botimit në Fletoren Zyrtare dhe do të legjitimojnë nisjen e detyrës ditën e parë të punës, kur duhet të zgjedhin dhe kryetarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, një nga 5 anëtarët e saj. Kreu i shtetit ka paralajmëruar një qëndrim të fortë ndaj zgjedhjes së tri anëtareve të reja të Gjykatës Kushtetuese.

“Presidenti po e ndjek me vëmendje këtë proces dhe do të shprehet menjëherë brenda 24 orëve për të zgjedhur anëtarin e tretë, sapo Kuvendi të ketë shprehur vullnetin e tij. Ndaj, ju lutem, gjeni pesë minuta kohë, lexoni nenin 179, pika 2 dhe 12 të Kushtetutës dhe nenin 86 pika 4/ a/c të ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe veproni pa humbur kohë! Sa për marifetet e individëve të verbër partiakë të sistemit të drejtësisë dhe botimet kontrabandë në Fletoren Zyrtare, do t’i zbardhim për ju dhe publikun pak më vonë, bashkë me mbledhjet e pazbardhura të KED!”, shkruan Presidenti Meta pak para votimit të dy kandidaturave në Kuvend.

5 ANËTARËT E GJYKATËS KUSHTETUESE

Vitore Tusha, anëtare që i ka mbaruar mandati
Besnik Muçi, anëtar i dekretuar nga Presidenti Meta
Arta Vorpsi, anëtare e zgjedhur automatikisht në bazë të pikëve nga KED
Elsa Toska, anëtare e votuar nga Kuvendi
Fiona Papajorgji, anëtare e votuar nga Kuvendi

Është anëtarja e katërt e Gjykatës Kushtetuese e votuar me 105 vota pro, 2 kundër dhe 9 abstenim. Ajo u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në 12 shkurt të këtij viti. Ajo është diplomuar në Fakultetin e Drejtësisë në vitet 1996-2000, ndërsa studimet pasuniversitare i ka përfunduar në vitin 2005. Në vitin 2012, ajo ka marrë doktoratën për ligjin kushtetues dhe atë administrativ. Në sektorin e drejtësisë, Toska e ka filluar karrierën si ndihmëskomisionere e Avokatit të Popullit në vitin 2000. Ndërsa që nga viti 2007 deri në vitin 2018, ajo ka qenë në pozicionin e këshilltares ligjore në Gjykatën Kushtetuese. Gjatë këtyre viteve ka punuar gjithashtu si pedagoge në disa universitete në vend dhe ka asistuar si eksperte në disa organizata ndërkombëtare

FIONA PAPAJORGJI u konfirmua dje si anëtarja e pestë e Gjykatës Kushtetuese. Ajo mori 105 vota pro, 3 kundër dhe 8 abstenim. Fiona Papajorgji u konfirmua nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit më 26 nëntor 2018. Ajo ka studiuar Drejtësi në Universitetin e Barit në Itali, ku gjithashtu ka marrë gradën doktore në shkencat juridike, e marrë përgjatë viteve 2009-2012. Për 8 vite, Papajorgji ka punuar në sistemin e drejtësisë italiane si asistentavokate dhe avokate e parë. Me rikthimin në Shqipëri, fillimisht ka punuar si pedagoge në disa universitete të ndryshme në Shqipëri. Ndërsa që prej vitit 2011 deri në vitin 2018, ka punuar fillimisht si specialiste dhe më pas si këshilltare pranë Gjykatës Kushtetuese.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat