Shtabi i Emergjencave në Laç: Mos nxirrni orenditë, nuk do të shemben të gjitha banesat

Shqipëria

Shtabi i Emergjencave në Laç: Mos nxirrni orenditë, nuk do të shemben të gjitha banesat

Më: 8 dhjetor 2019 Në ora: 22:25
Etjen Xhafaj

Në qytetin e Laçit do të nisë procesi i rivlerësimit të banesave. Qendra Operacionale e Shtabit të Emergjencave Civile në qarkun e Lezhës u tërhoqi vëmendjen e të gjithë qytetarëve, të cilët janë duke lëvizur të gjithë pajisjet e tyre apo orenditë nga pallatet, se jo të gjithë pallatet të cilët janë përcaktuar si të pabanueshëm, do të shemben.

"Do të ketë një proces të dytë rivlerësimi, gjatë të cilit do të vlerësohet edhe ndërhyrja e mundshme. Ka raste ku do të ndërhyhet strukturalisht, për gjithë të tjerat do të ketë një vendim specifik nga këshillat bashkiakë të të tre bashkive për të spcifikuar atë që do të ndodhë. Dhe pastaj do të mundësohet edhe afrimi me këto godina i qytetarëve, të shoqëruar nga Policia dhe instancat e tjera ligjore dhe shtetërore për të mundësuar tërheqjen e orendive dhe mjeteve të tyre".

Etjen Xhafaj, përfaqësues i Komitetit Ndërministror për Emergjencat Civile, për Qarkun Lezhë, tha se sot ka vijuar vlerësimi dhe ricertifikimi i sigurisë së godinave masive në terren me 6 grupe nga Kosova.

"Nesër do të ketë një trajnim dhe një rishpërndarje të re të grupeve të vlerësimit nga të treja bashkitë në territor. Gjithashtu është marrë një vendim i Këshillit Bashkiak Lezhë për të vijuar me bonusin e qerave për qytetarët e Lezhës.  Nesër do të ketë mbledhje të Këshillave Bashkiakë, si nga Këshilli Bashkiak i bashkisë Kurbin ashtu dhe nga Këshilli Bashkiak i Mirditës për të marrë vendime në lidhje me këto".

Gjithashtu, Këshilli Bashkiak i bashkisë Kurbin do të shqyrtojë edhe njëherë situatën në lidhje me pallatet e dëmtuara.

"Sa u përket institucioneve publike dhe shërbimeve, sot është bërë evakuimi i një pjese të spitalit të Laçit, në bashkinë Kurbin, në drejtim të spitalit të Lezhës. Kemi reaguar menjëherë duke shtuar shërbimet ambulatore dhe gjithashtu duke mbajtur të hapur në qytetin e Laçit shërbimet e emergjencës.Është shumë e rëndësishme që të kemi mirëkuptimin e qytetarëve dhe bashkëpunimin si me grupet e vlerësimit, ashtu edhe me ekipin tjetër të të gjithë ndihmës shtetërore dhe të Shtabit të Emergjencave Civile".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat