Bizneset në Durrës me miliona euro dëme pas tërmetit - Bota Sot
Bizneset në Durrës me miliona euro dëme pas tërmetit

Shqipëria

Bizneset në Durrës me miliona euro dëme pas tërmetit

Më: 13 dhjetor 2019 Në ora: 23:14
Durrës

Tërmeti i 26 nëntorit u ka shkaktuar dëme të shumta qindra bizneseve të vogla dhe të mëdha në Durrës. Organizatat e biznesit i kanë kërkuar qeverisë masa lehtësuese për të rikthyer njerëzit në punë. Durrësi është rajoni i tretë në Shqipëri për nga pesha ekonomike e tregtare që përballon prurjet më të madhe turistike në sezonin veror.

Nën rrënojat e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit në Durrës, Lavdosh Petoshati doli shëndoshë e mirë pas katër orësh, falë ndihmës së punëtorëve të tij. Pronari i “Pespa Alumin” e sheh kompaninë në ditën më të vështirë, qëkur e ka ngritur, para gati 20 vitesh, pasi dëmet në godina janë të mëdha dhe mbi të është barrë edhe një kredi në miliona euro.

“Kompania ka 300 punëtorë të cilët janë nga rrethi i Durrësit, njerëz të cilat kanë nga 18 vjet, 17 vjet, 13 vjet dhe sot a mund t’i themi këtyre njerëzve që sot janë specialistë të kësaj kompanie që do të të lemë 10 ditë në shtëpi apo një muaj, nuk e bëj dot. Unë do vazhdoj deri ditën që do kem frymë, do i mbaj”.

Sipërmarrësi i prodhimeve të aluminit në Shqipëri në këtë fabrikë me rreth 30 mijë metër katrorë thotë më tej se kërkesa e punëtorëve është të rifillojnë punën. Ai thotë se ka arritur të përshtasë mjediset e padëmtuara që të mundësojë kthimin e shpresës me fillimin e disa proceseve.

“Në qoftë se njerëzit do t’i punësosh është si puna e shkollave që të hapen, krijohet një lloj gjallërie me njerëzit, të cilët janë të vrarë, janë të shkatërruar dhe kjo gjë do t’i bënte t`ua hiqte pak ato gjërat e këqija të tërmetit. Me punonjësit e mi dhe me gjithë stafin kam folur nëpër telefona që ditën e dytë dhe njerëzit kanë kërkuar që duan të fillojnë punë. Nuk pranonin të rrinin qoftë edhe tre ditë pa punë”.

Mbi 20 biznese të tilla të mëdha me nga 100 deri në 300 punëtorë në Durrës kanë pësuar dëmtime të godinave nga tërmeti me humbje në miliona euro. Rikthimi i prodhimit shihet jetik për ardhmërinë e tyre, sidomos në peshën që bizneset kanë në punësim. Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Durrësit Alban Isteri flet për Zërin e Amerikës për situatën e biznesit pas tërmetit.

“Dëmet kryesore janë në infrastrukturë, janë shumë biznese prodhues të mëdhenj por edhe biznese të vogla që kanë pësuar dëme të parikuperueshme në miliona e miliona euro të cilat e kanë pothuajse të pamundur në një kohë të shpejtë të rehabilitojnë situatën në të cilën ndodhen. Ka mangësi të mëdha të fuqisë punëtore për shkak të situatës pasi një pjesë e mirë e punëmarrësve nuk janë paraqitur dhe kompanitë punojnë me 50% të kapaciteteve”.Isteri thotë më tej se Asambleja e Dhomës së Tregtisë i ka propozuar qeverisë Qeverisë një paketë masash ndihmëse.

“Pikësëpari masat konsitojnë në një koordinim më të mirë për dërgimin e grupeve të ekspertëve për verifikimin e dëmeve në objektet e biznesit dhe certifikimin e godinave me qëllim rifillimin e punës në mënyrë sa më sigurt për punëmarrësit, lehtësira fiskale për bizneset në Qarkun Durrës, duke i pezulluar të gjitha detyrimet fiskale për një periudhe 3 vjeçare, (tatim fitimi, sigurime shoqërore, TVSH, taksa vendore etj), rimbursimin e TVSH për ndërtuesit dhe fasonistët. Lobimin nëpërmjet Bankës së Shqipërisë për pezullimin e pagesave të kësteve të kredive për një periudhë një vjeçare, etj.”, thotë ai.

Kryetari i Dhomës së Tregtisë së Durrësit, një organizëm joqeveritar tha më tej se ishte kërkuar edhe angazhimi i Agjencisë së Mbikëqyrjes Financiare për të monitoruar pagesat e dëmeve për bizneset e siguruara si dhe propozime të tjera për të lehtësuar pozitën e biznesit të goditur nga pasojat.

Qarku i Durrësit është qarku i tretë më i madh në Shqipëri ku jeton 10,1 % e popullsisë ndërkohë që numri i të punësuarve përbën 7,5 % të numrit të përgjithshëm në Shqipëri. Zona përballon prurjen më të madhe turistike dhe rikthimi i standardeve të shërbimeve në këtë sektor pritet të jetë një sfidë për sezonin e ardhshëm veror.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat