‘Mijëra pedagogë pa marrë rrogat’, reagon Albana Vokshi: Qeveria të mos mendojë për udhëtimet e saj të luksit

Shqipëria

‘Mijëra pedagogë pa marrë rrogat’, reagon Albana Vokshi: Qeveria të mos mendojë për udhëtimet e saj të luksit

Më: 10 janar 2020 Në ora: 18:44
Albana Vokshi

Ish-deputetja e PD-së, Albana Vokshi ka deklaruar se mbi 12 mijë pedagogë nuk kanë marrë ende rrogat e muajit dhjetor dhe se shumica e tyre janë detyruar që të marrin borxh për të shlyer faturat e shërbimeve bazike jetësore.

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, Vokshi ka akuzuar qeverinë për këtë çështje. Sipas saj qeveria është duke menduar vetëm për udhëtimet e luksit të zyrtarëve të saj të lartë si dhe për koncesionet.

Postimi i plotë:

‘Buxheti i koncensioneve dhe shëtitjet për propagandë lënë ende pa rroga pedagogët.

12 mijë familje pedagogësh presin pagën që ua mban qeveria për allashverishet e saja.

Dita e 10 e muajit janar dhe ende asnjë pedagog nuk ka marrë rrogën, ndërkohë që entourage-i qeveritar ha e pi në restorante të shtrenjta, ku shishja e verës kushton 500 euro.

Paga, e ardhura e vetme në familjen e pedagogëve i ka detyruar shumicën e tyre të marrin borxh për të shlyer faturat e shërbimeve jetike.

Partia Demokratike kërkon që Qeveria të kalojë urgjentisht pagat e pedagogëve e të lehtësojë sadopak fillimin e këtij viti për 12 mijë familje e për dhjetëra mijëra fëmijë’, ka shkruar ish deputetja Albana Vokshi. 

Kujtojmë se administrata mësohet se është kthyer në punë që më datë 6 janar, sot që shënon data 10, edukatorët, mësuesit, pedagogët nuk janë paguar ende.

Ata prisnin që pagesa të kalonte brenda kësaj jave, nisur dhe nga fakti që sot është e premte por nuk është kryer asnjë veprim dhe ata i kanë humbur shpresat edhe për këtë javë.

Ndërkaq, burime nga ministria e Arsimit kanë thënë për neësbomb.al se veprimet për mësuesit janë kryer që me datë 6 por sipas tyre ‘ngërçi’ qëndron te bankat që mesa duket nuk kanë përfunduar shpërndarjen e pagave.

Neësbomb.al ka pyetur pranë ministrisë se kur do të kalojnë pagat e pedagogëve por nuk mori një përgjigje konkrete.  Pedagogëve mesa duket u duhet të presin ende për pagën e tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat