Kandidati i SPAK në vetting, përballet me denoncimin e disa prokurorëve

Shqipëria

Kandidati i SPAK në vetting, përballet me denoncimin e disa prokurorëve

Më: 27 janar 2020 Në ora: 15:23
Foto

Kandidati për në SPAK, Prokurori Anton Martini është përballur për herë të dytë me vettingun, pas një denoncimi të mbërritur në adresë të tij. Sipas KPK-së denoncimi ka të bëje me mënyrën organizative të punës së prokurorit kur drejtonte akuzën e Shkodrës, duke zëvëndësuar dosjet nga disa prokurorë tek të tjerët. Sipas Martinit ky zëvendësim është kryer për shkak të volumit të dosjeve dhe rëndësisë së tyre.

Kandidati për prokuror në SPAK del për herë të dytë para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për tu përballur me vettingun në drejtësi.

Hetimet ndaj Martinit janë rihapur pas një denoncimi për punën që ai ka kryer si drejtues i prokurorisë së Shkodrës.

Sipas denoncimit, subjekti gjatë organizimit të punës në këtë prokurori u ka hequr dosjet hetimore disa prokurorëve duke ia kaluar disa të tjerëve, duke shmangur procedurën e shortit.

Sipas KPK-së janë administruar veprimet e prokurorit ndërsa është konstatuar se 10 nga 13 dosje të trajtuara më parë, i janë caktuar të njëjtit prokuror.

Lidhur me këto pretendime, sipas Martinit procedura është kryer pasi një prokuror nuk kishte certifikatë sigurie, ndërsa në një tjetër rast zëvendësimi i prokurorit është bërë me kërkesë nga i pandehuri.

Martini ndër të tjera deklaroi para trupës së KPK-së se riorganizmi i punës është kryer për shkak të volumit të lartë të dosjeve të pa zbardhura nga paraardhësit, ndërsa gjatë vitit 2017 nuk ka patur ankesa nga ana e prokurorëve.

Gjatë seancës së parë para KPK-së, Martini rezultoi se ka bërë deklarim të saktë të pasurisë, nuk ka kontakte me krimin e organizuar dhe rezulton pozitiv për sa i përket aftësive profesionale.

Para KPK-së, Martini deklaroi se për shkak të dosjeve të mëdha që kishte hetuar, kishte marrë kërcënime dhe është trajtuar me urdhër mbrojtjeje së bashku me familjen.

Anton Martini, aktualisht prokuror i komanduar në akuzën e Tiranës, është kandidat për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, dhe nëse konfirmohet në detyrë ai do të jetë pjesë e kësaj strukture.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat