OFL ‘i vihet pas’ fisit Çelaj në Elbasan dhe kunatit të Lul Berishës - Bota Sot
OFL ‘i vihet pas’ fisit Çelaj në Elbasan dhe kunatit të Lul Berishës

Shqipëria

OFL ‘i vihet pas’ fisit Çelaj në Elbasan dhe kunatit të Lul Berishës

Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 11:50
Foto ilustrim

Operacioni ‘Forca e Ligjit’ ka përcjellë këtë të enjte dy emra të rinj që duhet të deklarojnë brenda 48 orëve burimin e tyre të pasurisë.

S.Ç bie menjëherë në sy në Elbasan, pasi ky i fundit është Suel Çela, njëri prej drejtuesve të familjes të njohur në qytet për lidhjet me botën e krimit. OFL ka njoftuar sot se Suel Çela kërkohet pasi ai rezulton të jetë i dënuar në Itali për trafikim të narkotikëve.

Emri tjetër në listë është ai i Plarent Dervishajt, kunati i Lulzim Berishës. Ky i fundit  është dënuar përjetë për vrasje, por ka mundur t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm. Pak kohë më parë Dervishajt iu bë një atentat në fillim të vitit 2019, të cilit arriti t’i shpëtojë.

NJOFTIMI I PLOTË:

Në vijim të operacionit Forca e Ligjit, dhe në kuadër të zbatimit të Ligjit Special për masat pasurore ndaj individëve të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar apo krime të rënda, sot më datë 6 shkurt 2020, OFL i ka nisur kërkesat me shkrim për vetëdeklarimin e burimeve të pasurisë, shtetasve:

– P. D., me banim në Durrës, pasi rezulton në hetim në Gjermani për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.

– S. Ç., me banim në Elbasan, pasi rezulton i dënuar në Itali për trafikim narkotikësh.

Këta individë, si subjekt i Ligjit Special, duhet t’u përgjigjen me shkrim, brenda 48 orësh, të gjitha pyetjeve të OFL-së. Më pas, përgjigjet e marra do t’i dërgohen SPAK-ut, i cili brenda jo më shumë se 15 ditësh, duhet të vlerësojë dosjen e përgatitur nga OFL-ja mbi aktivitetin kriminal të këtyre subjekteve, si edhe pasurinë e tyre.
Sapo të bëjë këtë vlerësim, SPAK-u duhet t’i kërkojë Gjykatës Speciale masën e sekuestrimit për pasuritë e subjekteve dhe pas sekuestrimit, në jo më shumë se 6 muaj Gjykata Speciale duhet të vendosë për konfiskimin përfundimtar të tyre.

Me marrjen e masës së sekuestros, çdo pronë e subjekteve do të administrohet nga agjencia e posaçme. Vetëm banesa mund të vazhdojë të përdoret për strehim, por nuk mund të shitet apo të jepet me qira nga subjekti.

Të gjitha subjektet e Ligjit Special, pra të gjithë të dënuarit apo të akuzuarit gjatë 30 viteve të fundit, për krimet e parashikuara në këtë ligj, do të kalojnë sitën e provës së ligjshmërisë së pasurisë së tyre. Asnjë përjashtim nuk do të ketë dhe nuk mund të ketë dhe çdo përpjekje për të tjetërsuar ndërkohë pronën, duke përdorur familjarë apo të njohur, do të rëndojë të dyja palët. Kujtojmë se Ligji Special parashikon vlerësime dhe hetime specifike të pasurisë edhe për rrethin familjar të personave të dënuar apo akuzuar për krim të organizuar e krime të rënda.

OFL do të informojë publikun në vijimësi për të gjitha nismat procedurale dhe operacionet ekzekutive që do të kryejë.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat