Gjyqi për “Duty Free”, ambasadorja Kim: Lakmus për klimën e biznesit - Bota Sot
Gjyqi për “Duty Free”, ambasadorja Kim: Lakmus për klimën e biznesit

Shqipëria

Gjyqi për “Duty Free”, ambasadorja Kim: Lakmus për klimën e biznesit

Më: 6 shkurt 2020 Në ora: 12:22
Ambasadorja Kim

Në Shqipëri ambasadorja amerikane Yuri Kim i tha Zërit të Amerikës se çështja gjyqësore lidhur me administrimin e e zonës së dyqaneve “duty free” në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, e cila po mban pezull fillimin e aktivitetit të kompanisë amerikane International Cruise Duty Free, ICDF, e shpallur fituese e garës së hapur nga aeroporti “është një lakmus për mjedisin e biznesit dhe aftësinë e Shqipërisë për të tërhequr dhe mbrojtur investimet e huaja direkte”.

Që prej korrikut të vitit të kaluar, kur nënshkroi dhe kontratën me Tirana International Airport (TIA) shoqërinë që administron aeroportin e Tiranës, kompania amerikane nuk ka mundur të marrë në zotërim zonën e dyqaneve “duty free”. Përmes një serie lëvizjesh dhe padish në gjykata, Albania Duty Free Distribution (ADFD), kompania e cila ka administruar zonën “duty free” që prej viteve 2000, nuk u largua , ndonëse rezultoi humbëse e garës së hapur nga TIA.

Fillimisht ADFD, ju drejtua Gjykatës së Tiranës, në 1 gusht të vitit të kaluar, për të kërkuar vijimin e aktivitetit dhe sigurimin e padisë. Çështja u pushua nga gjyqtari Arjan Aliaj pasi përfaqësuesit e kompanisë nuk u paraqitën në gjykim. Por të njejtën padi kompania mësohet se e ribëri, dhe këtë herë gjyqtarja tjetër Mimoza Kajo-Brahimi, i dha të drejtë ADFD-së, dhe lejoi vijimin e aktivitetit deri në shqyrtimin e çështjes në themel.

Sikur të mos mjaftonte Gjykata, në këtë histori nuk mbeti pas dhe roli i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, e cila do të duhej të kishte njoftuar ADFD-në, 60 ditë para përfundimit të kontratës, se nuk do t’i rinovohej licenca për ushtrimin e aktivitetit tregtar në Rinas. Por jo vetëm kaq. Në mesin e muajit gusht zëvendësministri Elton Haxhia, mësohet se ju përgjigj brenda 24 orëve kërkesës së ADFD-së për rinovimin e licencës, lëshimi i së cilës mund të kërkojë sipas parashikimeve ligjore deri 6 muaj kohë.

Çështja tërhoqi vëmendjen e mediave, duke qenë se ADFD-ja është në zotërim të Elona Çaushit, bashkëshortes së gjyqtarit Gjin Gjoni, një emër i përfolur i sistemit të Drejtësisë shqiptare. Duket se dhe zhurma në shtyp ndikoi që më pas Ministria ta revokonte licencën, duke qenë se ndër të tjera, kompania ADFD nuk kishte më një kontratë qeraje me TIA-n. Por lëvizjet e ministrisë u bënë shkas që Albania Duty Free Distribution, të ngrinte një tjetër padi, për heqjen e licencës. Gjyqtari Avni Sejdi vendosi pezullimin e efekteve të vendimit të ministrisë, deri në zgjidhjen e çështjes në themel.

Sot në gjykatë është parashikuar seanca ku palët do të paraqesin argumentat e tyre. Ambasadorja Kim njoftoi dërgimin e tre përfaqësuesve diplomatik të ambasadës për të ndjekur nga afër seancën.” Nëse Shqipëria dëshiron mundësi më të mëdha ekonomike dhe që të tërheqë më shumë investues të huaj, ajo duhet të demonstrojë se cilido luan sipas të njëjtave rregulla transparente dhe se ato rregulla aplikohen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë ndaj çdo personi, çdo institucioni dhe çdo biznesi”, i tha ambasadorja Zërit të Amerikës përmes një deklarate, duke nënvizuar se “përforcimi i lidhjeve të biznesit midis SHBA dhe Shqipërisë është një prej tri prioriteteve të mia kryesore si ambasadore e SHBA në Shqipëri”./VOA

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat