Vetëvendosje në Shqipëri nesër organizon dy protesta

Shqipëria

Vetëvendosje në Shqipëri nesër organizon dy protesta

Më: 22 shkurt 2020 Në ora: 22:25
Foto ilustrim

Lëvizja Vetëvendosje me qendër në Shqipëri ka paralajmëruar dy protesta për nesër.

Sipas njoftimit njëra do të mbahet në Ballsh, ndërsa tjetra në Zall-Gjoçaj, të dyja do të fillojnë në ora 10:00.

“Protestat organizohen sepse në thelb ka ndodhur vjedhja e pasurive natyrore të Shqipërisë. Në Ballsh, nafta. Në Zall- Gjoçaj, uji. Protesta e Ballshit është për punë dhe rroga të papaguara. Protesta në Zall-Gjoçaj është kundër ndërtimit të një HEC-i në Parkun Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”. Në Ballsh e në Zall-Gjoçaj, vidhen e shtypen punëtorë e fshatarë. Të dy protestat janë për jetë me dinjitet. Të dyja burojnë nga i njëjti problem: privatizimet e egra të pasurisë natyrore dhe publike të Shqipërisë, që kanë bërë të kamur një pakicë në kurriz të shumicës së shqiptarëve. Dy protestat e kësaj të diele tregojnë se shqiptarët janë të vjedhur, por jo të gjunjëzuar”, thuhet në njoftim.

“Në Ballsh protesta vjen pas një greve urie që nisi fillimisht para 10 ditëve në Poçem, nga 17 punëtorë të stacionit të elektropompimit, dhe më tej, para 6 ditëve, në grevë u futën edhe 10 punëtorë të rafinerisë së përpunimit të naftës në Ballsh. Aty punojnë rreth 900 punëtorë. Rrogat nuk i kanë marrë prej disa muajsh – rastet më ekstreme shkojnë deri në 27 muaj. Disa prej grevistëve janë shtruar tashmë në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore. Krimi në Ballsh është i vjetër. Prek partitë, spekulantë vendas e të huaj, institucionet e shtetit, bankat, e kështu me radhë, duke krijuar një rrjet mafioz që përsërit krimin. Ky krim rëndon jo vetëm mbi sistemin e drejtësisë, por edhe mbi ndërgjegjen tonë si qytetarë të Republikës. Punëtorët kanë protestuar edhe më herët, dhe do protestojnë, me shumë të drejtë, këtë të diel”.

“Mafia e naftës ka shkaktuar në Ballsh edhe një masakër mjedisore me pasoja të tmerrshme shëndetësore mbi vetë punëtorët dhe banorët e zonës. Ndërsa në Zall-Gjoçaj, në Mat, masakrën mjedisore duan ta kryejnë tani. HEC-i në Zall-Gjoçaj duan ta ndërtojnë, në kundërshtim me ligjin, brenda Parkut Kombëtar “Lurë – Mali i Dejës”, duke i marrë ujin rreth 10.000 banorëve, si dhe duke shkatërruar potencialin blegtoral dhe turistik të zonës, bashkë me ekosistemin natyror të këtij parku që është pronë e të gjithë qytetarëve, dhe na jep të gjithëve oksigjen. Banorët po protestojnë prej disa muajsh dhe kanë dorëzuar edhe një padi në gjykatë. Këtë javë, për herë të tretë, seanca gjyqësore është shtyrë pasi palët e paditura nuk paraqiten. Prandaj, banorët kanë thirrur sërish protestë”.

Qendra e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Shqipëri shpreh mbështetjen për të dyja këto protesta dhe kërkon nga institucionet shtetërore respektimin e ligjit dhe të të drejtave të punëtorëve, mbrojtjen e sektorit të naftës si pasuri publike me interes kombëtar dhe mbrojtjen e mjedisit e të lumenjve nga shfrytëzimi i egër e shkatërrues. Në solidaritet me shqiptarët që këtë të diel protestojnë nga Ballshi në Zall-Gjoçaj!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat