Dokumenti sekret, betimi i Fatmir Haklajt për të vrarë Azem Hajdarin - Bota Sot
Dokumenti sekret, betimi i Fatmir Haklajt për të vrarë Azem Hajdarin

Shqipëria

Dokumenti sekret, betimi i Fatmir Haklajt për të vrarë Azem Hajdarin

Më: 28 qershor 2020 Në ora: 18:56
Fatmir Haklaj dhe Azem Hajdari

Pas vrasjes, më 12 shtator të vitit 1998, të deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari, akuzat, kryesisht politike, në drejtim të Shërbimit Informativ Kombëtar, të drejtuar nga Fatos Klosi, ishin ekstremisht të rënda.

Të formuluara dhe të dala nga selia e Partisë Demokratike ato thoshin se Klosi, 2-3 muaj para vrasjes së Azemit, kishte liruar nga burgu dy prej pjesëmarrësve në atentat dhe se, një ditë pas vrasjes, më 13 shtator, kur i dilte për detyrë tu rrinte punëve në krye, ishte larguar urgjent për në Himarë, pa ndonjë arsye madhore të njohur.

Koha nuk ka sjellë ndonjë provë të fortë që të mbështesë këto akuza. Përkundrazi, por kjo nuk do të thotë se SHIK-u nuk ka asnjë lidhje me këtë histori.

Shërbimi Informativ Kombëtar, me plotësisht të drejtë mund të akuzohet se, ditën e vrasjes, 12 shtator 1998, nuk i dha policisë asnjë informacion për njerëzit, të cilët, të organizuar, mbi një autokolonë makinash, kishin zbritur nga Tropoja dhe po lëviznin të armatosur nëpër Tiranë duke pasur vetëm një qëllim: Të vrisnin Azem Hajdarin.

Pra, më 12 shtator 1998, shërbimi sekret ishte inekzistent, ishte jashtë detyrës, apo jashtë çdo lloj funksioni, në një kohë që një numër i madh njerëzish, qofshin banditë e kriminelë, qofshin normalë, e mësuan qëllimin e grupit të Fatmir Haklajt.

Ky mund të jetë mëkati më i madh i Shërbimit Informativ Kombëtar përballë kësaj ngjarjeje, ndërkohë që informacionet më të hershme, të mbledhura dhe përpunuara prej tij, kanë qenë normale dhe konform misionit.

Kështu, një dokument që mban datën 16 maj 1998 dhe që ABC News e sjell ekskluzivisht, vërteton se agjentët në terren kishin siguruar një informacion që thoshte se Fatmir Haklaj, ish-shefi i Komisariatit të Tropojës, ishte betuar mbi kufomën e të vëllait se do të merrte hak, duke vrarë, mes të tjerëve, edhe deputetin Azem Hajdari.

Aty shpjegohet qartë se Fatmir Haklaj e kishte qëllimin e jetës të vriste Azem Hajdarin, se ai kishte gatitur disa kurthe, që deputeti i PD-së të vinte në Tropojë, me qëllim për ta vrarë, e të tjera.

Informacioni, që mban përfund firmën e titullarit të SHIK, Fatos Klosi, i është dërguar Ministrit të Rendit Publik, Perikli Teta me qëllim që policia të bënte punën e saj.

Pak ditë më pas, më 20 maj 1998, të dhënat janë riformuluar nga Drejtoria e Policisë Kriminale dhe dërguar Drejtorisë së Policisë së Kukësit.

Në këtë dokument të dytë Policia e Kukësit urdhërohet që të organizojë gjurmimin dhe kapjen e Fatmir Haklajt si dhe të deklarojë punën e bërë për parandalimin e ngjarjeve të mëtejme, domethënë parandalimin e vrasjeve, përfshirë atë të deputetit Azem Hajdari.

Më poshtë përmbajtja e plotë e informacionit të SHIK:  

SEKRET

Kopje Nr. 1

Tiranë, më 16.05.1998

Republika e Shqipërisë

Shërbimi Informativ Kombëtar

Lënda: Për Fatmir Haklaj

Ministrit të Rendit Publik,

Zotit Perikli Teta

Tiranë

Në bazë të një informacioni që disponojmë, ish-shefi i Komisariatit të Tropojës, Fatmir Haklaj, ndër të tjera është shprehur:

“… Njerëzit e mi që janë vrarë kanë marrë gjithsej 18 plumba. Në bazë të kanunit ne do të vrasim 18 vetë. Deri tani kemi vrarë 9 vetë, kemi për të vrarë edhe 9 të tjerë, në mes të tyre edhe Azem Hajdarin. Ne i kemi dërguar fjalë nëpërmjet lidhjeve të tij, disa herë i kemi dërguar telegrame për raste vdekjesh për të ardhur në Tropojë, me qëllim për ta vrarë, por ai nuk ka ardhur. Pasi të vrasim Azemin ne do të ikim në Belgjikë.

Kryetari i Shërbimit Informativ Kombëtar

Fatos Klosi

(firma, vula).

Image
Image
Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat