Shuhet muzikologu i njohur shqiptar!

Shqipëria

Shuhet muzikologu i njohur shqiptar!

Më: 1 korrik 2020 Në ora: 18:29
Ferid Bala

Është shuar në moshën 86-vjeçare muzikologu i njohur shkodran, Ferid Bala.

I njohur si themeluesi i degës së Kantos në Shkodër, Ferid Bala, është ndarë sot nga jeta, në moshën 86-vjeçare. Muzikologu ka zbuluar disa talente, si Valdete Hoxha, Agim Hushi, Violeta Gashi, Myfarete Laze edhe është autor i disa librave.

Ai dha një kontribut të madh në muzikë, duke qenë edhe themelues i degës së Kantos në Shkodër. I aktivizuar fillimisht në melodramën “Dasma Shkodrana” nga kompozitori Prenk Jakova, do të dërgohej më pas edhe në Festivalin Ndërkombëtar të Muzikës në Bukuresht. Në vitin 1971 nis punën në degën e Kantos në shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Shkodër. Disa nga talentet që ka zbuluar gjatë punës si arsimtar janë: Valdete Hoxha, Agim Hushi, Violeta Gashi, Myfarete Laze etj.

Ferid Bala (1934-2020) është autor i disa librave, si “Ushtrime Vokale”, “Përmbledhje me Arie e Romanca”, “Në lulishten e këngës dhe të këngëtarëve popullore shkodranë”, “Fjalor muzikor i komentuar”, “50 vjet Art e Kulturë”, “Këshilla për këngëtarët”, “Përmbledhje pjesësh popullore”, “Kënga dhe Këngëtarët” etj.

Është dekoruar edhe me Urdhërin “Naim Frashëri” i klasit të  dytë edhe të tretë. Ndërsa, mban titujt “Mësues i dalluar” edhe “Prenk Jakova”.

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, në faqen e saj zyrtare në “Facebook” shkroi:

“Ndarja nga jeta e profesor Ferid Balës një lajm i trishtueshëm, jo vetëm për familjen, ish- nxënësit e bashkëpunëtorët, por për të gjithë Shkodrën. Personalitet i muzikës, pedagog i qindra talenteve, botues librash, familjar e qytetar i nderuar i Shkodrës, profesor Feridi ka lënë pas një trashëgimi për të cilën ndjehemi të gjithë krenarë. Lamtumirë Profesor, pushofsh në paqe!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat