Qeveria e Shqipërisë merr vendim: Maska e detyrueshme në ambientet e mbyllura - Bota Sot
Qeveria e Shqipërisë merr vendim: Maska e detyrueshme në ambientet e mbyllura

Shqipëria

Qeveria e Shqipërisë merr vendim: Maska e detyrueshme në ambientet e mbyllura

Më: 15 korrik 2020 Në ora: 15:52
Ogerta Manastirliu

Ministrja e Shëndetësisë në Shqipëri Ogerta Manastirliu njoftoi se qeveria ka vendosur që maskat të jenë të detyrueshme në ambientet e mbyllura.

“Nëpërmjet vendimit të sotëm të qeverisë dhe aktit normativ, detyrimi për përdorimin e maskave jo mjekësore/barrierave mbrojtëse për mbrojtjen ndaj transmetimit të Covid-19 do të jetë detyrim për çdo individ në të gjitha ambientet e mbyllura; në administratën publike dhe jo publike; në transportin publik; në zyra, shkallë pallati, ashensorë, në qendrat tregtare, dyqane, supermakatat, tregjet dhe njësitë e shërbimit”.

Në rast të mosrespektimit të këtij detyrimi, policia e shtetit, policia bashkiake dhe strukturat e inspektorateve shtetërore do të penalizojnë me gjobë shkelësit.

Masa e gjobës është vendosur 2 mijë lekë të reja për çdo thyerje të rregullit.

Ministrja e Shëndetësisë kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve për zbatimin e kësaj mase që ndërmerret me qëllim mbrojtjen e shëndetit, shkruan A2 CNN.

“Detyra dhe qëllimi ynë kryesor është ruajtja e shëndetit. Në funksion të këtij qëllimi, kemi miratuar edhe këtë Akt Normativ dhe për të cilin kërkojmë mirëkuptimin tuaj. Përdorimi i maskës ka një efikasitet të lartë në kufizimin e përhapjes së virusit, mbështetur kjo dhe në rekomandimet e Qendrës Europiane te Kontrollit të Sëmundjeve, Organizatës Botërore të Shëndetësisë dhe e vërtetuar nga eksperienca e shumë vendeve. ‘Sakrifica’ që kërkohet prej jush nuk është mbyllja. Ajo çfarë kërkohet është vendosja e maskës, për të mbrojtur veten, për të mbrojtur të afërmit”.

Gjatë komunikimit për publikun, Manastirliu deklaroi se sistemi shëndetësor po përgatitet për t’i bërë ballë kësaj situate.

“Falë punës që nuk është ndalur për as edhe një moment gjatë kësaj periudhe, sot ne kemi më shumë se 500 shtretër të gatshëm posaçërisht për pacientët e prekur nga Covid19. Kemi rritur kapacitetet me respiratorë, monitorë dhe pajisje mjekësore të nevojshme në të gjithë sistemin spitalor. Kemi shtuar kapacitetet e testimit. Sot kemi në dispozicion 90 mijë teste dhe po hapim dhe një laborator të dytë në QSUT”.

Duke deklaruar se në Shqipëri ka aktualisht një situatë epidemiologjike me përhapje komunitare në disa bashki, Manastirliu tha se u hap përsëri spitali i dytë Covid me qëllim përballimin e fluksit të shtuar të pacientëve, si pasojë e shtimit të numrit të infeksioneve.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat