Batuta e Vasilit: Rama kërkon një fushë vetëm me lojtarët e tij, dhe portën bosh për të shënuar - Bota Sot
Batuta e Vasilit: Rama kërkon një fushë vetëm me lojtarët e tij, dhe portën bosh për të shënuar

Shqipëria

Batuta e Vasilit: Rama kërkon një fushë vetëm me lojtarët e tij, dhe portën bosh për të shënuar

Më: 19 korrik 2020 Në ora: 21:43
Petrit Vasili

Ndryshimet kushtetuese në kuadër të reformës zgjedhore do të mbledhin sërish Këshillin Politik ditën e nesërme (20 korrik) ku prezent do të jetë dhe kryeministri Edi Rama.

Kryeministri Rama ka pranuar kërkesën e opozitës parlamentare për hapjen e listave, pavarësisht se kjo e fundit ka qenë pjesërisht, teksa ka deklaruar se këto e bëjnë të mundur realizimin e koalicioneve parazgjedhore.

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili në një intervistë për Ora News shprehet se koalicionet janë të patjetërsueshme. Sipas tij, kjo është një manovër e kryeministrit për të shpëtuar kokën e tij.

Ai thotë se Rama kërkon të krijojë një fushë vetëm me lojtarët e tij dhe me portën kundërshtare bosh për të shënuar.

Vasili: Bëhet fjalë për një manovër të kryeministrit për të shpëtuar kokën e tij. E drejta e garës së partive politike, vetëm apo me koalicione, është një e drejtë kushtetuese dhe e patjetërsueshme. Erdhi në konkurimin në koalicion. Koalicioni krijon një frymë bashkëpunimi. I jep atë që Edi Rama nuk do që të dëgjojë, i bashkon interesi i vetëm për të larguar Ramën si e keqja më e madhe e vendit. Përsa i takon listat, ju keni parë që ai nuk i ka hapur listat. Një e treta e listës mbetet e mbyllur, pjesa fituese. Ndërsa pjesa e cila ka mundësi minimale ose zero për të fituar, bëhet e hapur. Kuptohet që kjo ka të bëjë vetëm me një maskaradë. Rama kërkon të ketë vetëm një fushë brenda së cilës të ketë 11 lojtarë të vetë, ndërsa përballë të mos ketë asnjë dhe portën bosh për të shënuar.

Ndërsa për rifillimin e punës së Këshillit Politik për ndryshimet kushtetuese, Vasili shprehet i bindur për të mos ndryshuar marrëveshjen e 5 qershorit dhe kërkon zbatimin e saj deri në fund.

Vasili: Nesër është vetëm një rimarrje e punës së Këshillit Politik, i cili ka akoma çështje të tjera për të diskutuar që lidhen me kodin zgjedhor. I vetmi veprim që mbetet për ta përmbushur është vota në këtë parlament. Nuk ka asnjë mundësi që të bisedohet për çështje konkrete. Në agjendë nuk ka asnjë çështje. Unë po ju flas këtu si pjesëtar i opozitës së bashkuar. Ne kemi qëndrim të prerë dhe të palëkundur. Ndryshime të njëanshme që nuk kanë lidhje me thelbin e demokracisë dhe të zgjedhjeve, ndryshimet që nuk kanë të bëjnë me shitblerjen e votës, ndryshime që kanë qëllim eleminimin e koalicioneve, pasi koalicioni i madh i opozitës së bashkuar është fitues i padiskutueshëm. Ka një detyrë politike që opozita e bashkuar i ka qëndruar shumë dhe e konkretizoi me marrëveshjen e 5 qershorit.

Ka dy alternativa, ose marrëzia e Edi Ramës izolon Shqipërinë dhe i krijon dëme të pallogaritshme vendit në një krizë shumë të thellë ekonomike dhe shoqërore, ose të ecim përpara në një proces zgjedhor normal i cili jep zgjidhje situatës politike. Si opozitë e bashkuar, jo se jemi më të lumturit me marrëveshjen e 5 qershorit, por ishte një zgjedhje për sigurimin e një procesi zgjedhor normal. Në marrëveshjen e 5 qershorit nuk ka asnjë privilegj për opozitën shqiptare pasi janë rregulla të barabarta loje.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat