Fqinji la shtatzënë 33-vjeçaren e sëmurë/ Si e zbuloi vëllai dhe dëshmitë e banorëve

Shqipëria

Fqinji la shtatzënë 33-vjeçaren e sëmurë/ Si e zbuloi vëllai dhe dëshmitë e banorëve

Më: 29 korrik 2020 Në ora: 07:49
Foto ilustrim

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në fshatin Ardenicë të Lushnjës, ku një 56-vjeçar dyshohet se ka përdhunuar një të sëmurë mendore duke e lënë atë shtatzënë.

Në një njoftim për shtyp, Policia bëri të ditur se autori i dyshuar E. Bushi është vënë në pranga pasi familjarët e 33-vjeçares kanë bërë denoncim në Polici. 33- vjeçarja nuk është në gjendje të pohojë e as mohojë atë çfarë dyshohet të ketë ndodhur, por vëllai i saj ka njoftuar Policinë duke u treguar edhe shqetësimin se e motra mund të ishte shtatzënë pasi çdo ditë trupi i pësonte ndryshime.

Pas denoncimit të familjarëve, Policia është vënë në lëvizje duke marrë në pyetje banorë të fshatit të cilët i kanë dhënë detaje për çfarë kishin parë apo dyshonin. Kështu, Policia njoftoi se “specialistët për hetimin e krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë, në bashkëpunim me Prokurorinë Lushnje, ndaluan shtetasin E. B., 56 vjeç, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me një shtetase 33-vjeçare, e cila është e sëmurë mendore dhe nga ekzaminimet ka rezultuar 8-muajshe shtatzënë. Materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë për veprën penale ‘Marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona të pazotë për t’u mbrojtur’”.

Banorët

Ndërkohë, sipas banorëve të zonës, e sëmura mendore dyshohet të jetë abuzuar e shfrytëzuar seksualisht edhe nga persona të tjerë të moshuar të zonës. ”Turp i madh për ata që merren me një të sëmurë që nuk di fare se çfarë bën. Kam dëgjuar se tërë burrat e moshuar abuzonin me të, e paskan lënë edhe shtatzënë. Të dënohen autorët. Të bëhen analizat kush është babai i foshnjës”, ka thënë A. D., një banor i zonës ku ka ndodhur edhe ngjarja e rëndë. Ndërkohë 33-vjeçarja është në kujdesin e mjekëve, të cilët përveç shëndetit të saj mendor e fizik, i kanë bërë ekzaminimet dhe pritet që në ditët në vijim mjekësia ligjore të japë përgjigjet si për periudhën e deflorimit të saj, ashtu edhe për përcaktimin e atësisë së foshnjës. Endë nuk është vendosur nëse fëmija do të lindë apo do të abortohet, gjë që pritet të bëhet në vijim.

Familjarët

Ata që e kanë përjetuar keq këtë ngjarje janë vëllai i vajzës së re dhe babai i saj. Ata janë personat që kishin në kujdesje 33-vjeçaren, e cila prej vitesh vuante nga sëmundje të shëndetit mendor. Ata janë shprehur të shokuar rreth ngjarjes së fundit që ka ndodhur me vajzën, ndërsa kanë kërkuar në Polici të gjendet autori që ka kryer këtë krim.

“Jemi në një gjendje shumë të keqe, dita ditës shikoja që me motrën time nuk shkonin gjërat mirë dhe trupi i saj po ndryshonte. Më lindën dyshimet e mia dhe e dërgova në spital për t’i bërë analizat, aty ku edhe mësova se çfarë ka ndodhur. Ajo nuk është në gjendje të tregojë se çfarë ka ndodhur apo kush ka abuzuar me të. Policia të na ndihmojë dhe të gjejë autorët. Ata duhet të ndëshkohen, kanë bërë një krim. Motra është e pavetëdijshme, nuk mund të abuzojnë me një person të sëmurë”, mësohet të jetë shprehur në Polici vëllai i 33-vjeçares.

Ndërsa punonjësit e Policisë janë munduar të marrin dëshminë e vajzës së abuzuar në prani të psikologëve apo dhe punonjësve të tjerë socialë. Sipas burimeve, marrja e dëshmisë është shumë e vështirë, ndërsa pyetja e saj do të vijojë në çdo moment. Për sa i përket personit të akuzuar për këtë ngjarje, ai ka mohuar të ketë abuzuar me 33-vjeçaren.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat