Shqiptarët do të paguajnë 14 miliardë lekë për koncesionet

Shqipëria

Shqiptarët do të paguajnë 14 miliardë lekë për koncesionet

Më: 21 tetor 2020 Në ora: 23:20
Ilustrim

Taksapaguesit shqiptarë do të paguajnë afro 14 miliardë lekë për kontratat e Partneritetit Publik-Privat gjatë vitit të ardhshëm, ose dyfishin e pagesave të derdhurave gjatë këtij viti. 

Bëhet fjalë për detyrimet që qeveria dhe bashkia e Tiranës do të derdhin për llogari të 13 kontratave aktive koncesionare, ku pjesa më e madhe e fondeve do të shkojë për ndërtimit e rrugës së Arbrit, afro 4.1 miliardë lekë.

Katër koncesionet në fushën e shëndetësisë po ashtu kanë një kosto të lartë pagesash prej 4.6 miliardë lekësh në total. Kontrata e skanimit në dogana parashikohet të marrë 1.6 miliardë lekë gjatë vitit 2021, si dhe 1.4 miliardë lekë janë parashikuar të shkojnë për inceneratorin e Tiranës në Sharrë.  

Pagesat për një pjesë të kontratave, të tilla si inceneratori i Fierit, apo tre koncesione  në shëndetësi do të  mbyllen brenda vitit 2025, ndërkohë që buxheti do të paguajë për inceneratorin  e Tiranës dhe rrugën Milot-Morinë pagesa të rregullta deri në vitin 2047.

Sipas draftit, në buxhetin e vitit 2021 është respektuar rregulli fiskal që detyrimet kontraktuale të mos tejkalojnë kufirin 5 % të të ardhurave vjetore të parashikuara, duke mbetur në nivelin 3.7%.

Ndërkohë për vitin që vjen, qeveria pritet të aktivizojë edhe 6 kontrata të reja PPP, të tilla si, rruga Milot-Fier, Aeroporti i Vlorës apo rritja e sigurisë rrugore. Sipas relacionit të buxhetit, vlera totale e tyre mbërrin në 838 miliardë lekë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat