Avokati i arrestuar përfundon në spital

Shqipëria

Avokati i arrestuar përfundon në spital

Më: 28 tetor 2020 Në ora: 14:46
Gjergj Neli

Avokati nga Lezha, Gjergj Neli, i cili ndodhet nën arrest, i akuzuar për dhunë ndaj policisë ka përfunduar në spital për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore.

Ai u vu në pranga mbrëmjen e së martës, ndërsa bashkëshortja e tij dhe zv.kryetarja e dhomës se avokatisë Lezhe Shaqe Marinaj thonë se gjatë arrestimit avokati është dhunur nga efektivët e policisë.

Marinaj ka denoncuar në SHÇKBA efektivin e policisë Myrteza Mehmeti, me pretendimin se ka ofenduar e dhunuar atë dhe avokatin Gjergj Neli.

Lezhe Shaqe Marinaj: “Ne kemi qenë duke hyrë në zyra kur polici ka përdorur fjalë fyese, ka përdorur dhunë ndaj avokatit Gjergj Neli dhe ndaj meje që isha prezente dhe unë isha në mes të dy policëve dhe i thashë: Shef të lutem! Ne vijmë në komisariat vetë, jemi njerëz publikë, nuk jemi njerëz dosido, ne na njeh gjithë qarku dhe na njeh gjithë Shqipëria. Në këtë shtet nuk jemi të sigurtë për jetën tonë. Kur nuk jemi të sigurtë ne që jemi avokatë dhe punojmë për 30 vite në sistemin e drejtësisë, si mund të jenë qytetarët e thjeshtë?! Të marrin masat urgjente në lidhje me komisariatin e Policisë Lezhë për të gjitha rastet që unë në këtë moment po i bëj publike”

Nga Spitali ai pritet që të njihet me masën e sigurisë, ndërsa ende nuk është vendosur data kur do të mbahet seanca.

Në një njoftim zyrtar policia e Lezhës ka thënë se avokati ka goditur punonjësin e policisë Myrteza Mehmeti, i cili kishte ndërhyrë për të ndalur një konflikt mes avokatit dhe një qytetari.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat