Përplasja Meta-Rama/ Presidenti: Nëse preket një votë do u pritet dora! Kryeministri: Meta-Berisha, frikë nga drejtësia

Shqipëria

Përplasja Meta-Rama/ Presidenti: Nëse preket një votë do u pritet dora! Kryeministri: Meta-Berisha, frikë nga drejtësia

Më: 2 mars 2021 Në ora: 19:44
Edi Rama, Ilir Meta

Në përvjetorin e tubimit të 2 Marsit,  Ilir Meta shpërtheu sërish.

Presidenti iu rikthye  kërcënimeve publike në emisionin “Frontiline” në News24 duke  artikuluar  masa mesjetare për ata të cilët guxojnë të vjedhin vota.

 “Nëse preket një votë me 25 Prill  do u pritet dora në “Sheshin Skenderbej”,  Monikës, Lulit dhe Edit.   Ky është betim,  do ja pres unë dorën”, tha Meta.

Për shpërthimet e kreut të shtetit Edi Rama e ka  një shpjegim.

“Shikoni  Ilir  Metën  dhe kuptoni që reforma ka nisur të japë shenja domethënëse, të qarta sa për të tensionuar Metën dhe Berishën. Mos u shqetësoni, reforma ne drejtësi është e besueshme sa  niveli i shkallimit të Ilir Metës”, tha Rama.

I pari i shtetit ka gati skenarin për  fatin e tij politik pas 25 Prillit, skenar të cilin  Edi Rama e sheh si një plan të mirëmenduar të dyshes Meta-Berisha.

“Nëse  merr 71 mandate unë do jap dorëheqjen  dhe do kaloj në opozitë dhe kjo do thotë se në Shqipëri nuk ka lidership opozitar dhe unë do bëhem udhëheqës i opozitës dhe  do i mbledh të gjitha partitë, nuk ka nevojë që të ndahen”, tha presidenti.

“Është pjesë e planit  për të lidhur Lulin me zinxhirin e Monikës për llogari të Ilirit dhe Sali Berishës, ose për të marrë  pushtetin dhe për të zhbërë reformën në drejtësi ose për të marrë kokën e Lulit”, tha Rama.

Me zgjedhjet në prag, Ilir Meta ka vendosur të dalë hapur në fushë betejë, duke mos kursyer as ndërkombëtarët.

“Amerikanët e Edi Ramës,  Ilir Meta i kap për veshi. E di ai si u flas atyre,  kur ata vijnë bëjnë maskarallëqe për llogari të Edi Rames kaq”, tha Meta.

Për  sjelljen e Ilir Metës me  diplomatet, Rama fajëson Bashën.

“Këtu problem është Lulzim Basha që nuk ka  këllqe të mos fshihet as kur aleati thotë se amerikanët i kap për veshi sepse nuk është lider,  por është menaxheri i një kompanie me  dy ortakë,  Meta Dhe Berisha dhe një notere përmbaruese,  Monika”, u shpreh Rama.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat