Kardiologu i Enver Hoxhës zbulon prapaskenat e arrestimit të Kadri Hazbiut

Shqipëria

Kardiologu i Enver Hoxhës zbulon prapaskenat e arrestimit të Kadri Hazbiut

Më: 3 mars 2021 Në ora: 14:44
Kadri Hazbiu

Mjeku i Enver Hoxhës, Ahmet Kamberi, në vijim të rrëfimit të tij, sjell një episod nga viti 1982, me ish-ministrin e Mbrojtjes Kadri Hazbiun, i cili kërkonte të kurohej jashtë shtetit për shkak të migrenës.

Pak muaj më pas, Hazbiu do të arrestohej si bashkëpunëtor në komplot me Mehmet Shehun dhe një vit më vonë do të dënohej me vdekje. Mbase kërkesa e Hazbiut për t’u kuruar jashtë shtetit mund të ishte edhe një tentativë nga ana e tij për t’u arratisur e për t’i shpëtuar ekzekutimit, pasi ai i njihte mirë ligjet e shtetit komunist të kohës se ku përfundonin ata që shpalleshin armiq të partisë dhe popullit.

Pas konsultës me mjekët e Klinikës Qendrore të udhëheqjes dhe vendimit se ai nuk kishte pse të shkonte jashtë shtetit për kurim, Kadri Hazbiu është larguar shumë i mërzitur dhe qejfmbetur me mjekët, disa prej të cilëve i kishte edhe miq. Gazeta “Panorama” vijon botimin pjesë-pjesë të librit të profesor Kamberit, “Pacienti ynë i veçantë”.

AHMET KAMBERI

EDHE KUR PËRPIQESH PËR MIRË…

Në shtator të vitit 1982 unë pata edhe një përballje krejt të pakëndshme me Kadri Hazbiun. Më kishte njoftuar drejtori i Klinikës Speciale, dr. Pavllo Milo që duhej të paraqitesha për një konsultim të rëndësishëm. Kur shkova në Klinikë, gjeta aty prof. Hoxhën, prof. Prezën dhe doc. Hysen Baboçin. Më shpjeguan se duhej të bënim një konsultë për Kadri Hazbiun.

Dr. Pavlloja na tha se ai kishte këmbëngulur që të dërgohej në Paris për konsultim mjekësor. Kadriu vuante nga migrena. Ato kohë, me sa dukej, krizat e migrenës ishin bërë shumë të shpeshta dhe të padurueshme. Unë e pashë veten krejt të panevojshëm në atë konsultim dhe ia shpreha këtë Pavllos, por ai këmbënguli që konsulta duhej të ishte e gjerë. Kur erdhi Kadriu, i dëgjuam shqetësimet e tij.

Ato nuk kishin ndryshim nga ato që ne i dinim prej shumë kohësh. Por, ndryshimi ishte se krizat ishin shpeshtuar dhe ishin bërë shumë më të mundimshme se më parë. E ekzaminuam dhe u tërhoqëm në dhomën tjetër për diskutim. Unë nuk kisha ndonjë vrojtim të ri për gjendjen e tij kardiovaskulare. Neurologët gjithashtu u shprehën se ishte thjesht një acarim i krizave të migrenës, për të cilën mund të shtonin diçka në mjekim, por mendonin se nuk mund ta justifikonin dërgimin e tij jashtë shtetit për këtë problem.

Mirëpo ne ngecëm se kush do t’ia komunikonte atij vendimin e konsultës. Si rregull i përhershëm, ai që i komunikonte vendimet e konsultës ishte pjesëtari më i vjetër dhe profesionalisht më autoritari. Në rastin tonë ky ishte prof. Hoxha. Por, ai kundërshtoi në mënyrë të prerë që ta bënte këtë.

-Ky është problem neurologjik, – këmbëngulte ai, -prandaj t’ia thotë Bajrami.

Bajrami, nga ana e tij, përpëlitej me të vetën, duke ngulur këmbë që ishte Hoxha, si më i vjetri, që duhej ta bënte këtë.

Për Hysenin natyrisht nuk bëhej fare fjalë. Pavlloja, jo e jo. Në raste të tilla ai vinte gjithnjë përpara specialistët. Mirëpo ky debat po zgjatej përtej kufirit dhe mund të krijonte dyshime te pacienti. Atëherë unë, si i bukuri shejtan, u thashë që të mos grindeshin se do t’ia thosha unë. Ata u shtendosën menjëherë.

Kalova në dhomën tjetër, por asnjëri prej kolegëve nuk erdhi me mua. U përpoqa t’ia thosha Kadriut vendimin e konsultës në mënyrën më të kuptueshme që munda, por përfundimi se nuk e gjenim të justifikueshme që të dërgohej për këtë jashtë shtetit, natyrshëm që nuk do të mirëpritej prej tij. Kadriu u mërzit shumë nga kjo dhe u nxeh.

Ma zbrazi mua të gjithë zemërimin e tij dhe më bëri të ndihesha me të vërtetë keq. Më shumë për faktin se ne kishim pasur marrëdhënie shumë të mira personale dhe unë e pësova si breshka te nallbani, duke dashur t’i kurseja atij mërzinë e pritjes nga debati ynë i zgjatur dhe i paarsyeshëm. Megjithatë, unë e mirëkuptoja se në fund të fundit ai kishte një dhembje që ne nuk kishim qenë në gjendje t’ia lehtësonim. E dëgjova deri në fund pa folur. Kur mbaroi, i thashë:

-Shoku Kadri, do të bëjmë të gjitha përpjekjet që t’jua lehtësojmë krizat. Do të kërkojmë edhe ndonjë bar të ri që mund të gjendet.

-Mirë, mirë, -ma ktheu ai, -bëni ç’të doni…

U ngrit për të dalë. E përcolla deri në oborr te makina. Dorën ma dha ftohtë. Nuk i kishte kaluar zemërimi. U ktheva te kolegët dhe u thashë:

-Unë i mora të gjitha rrufetë, veçse ato ju takonin juve, jo mua. Por ata ishin të lumtur që kjo ndodhi ashtu.

Kjo ishte një nga vështirësitë e natyrshme të punës në Klinikën Speciale.

Vullnetarizmi mund të mos vlerësohet, por produkti mbetet Shërbimi në njësinë tonë të kardiologëve na jepte përparësi të madhe për lexim dhe përditësim profesional e shkencor, sepse kishim kohën e duhur dhe librat e revistat e duhura mjekësore. Por, ruajtja dhe zhvillimi i formës profesionale kërkon praktikë klinike, në mos të përditshme, të shpeshtë. Klinika Speciale kishte një numër të kufizuar pacientësh dhe ishte e pamjaftueshme për praktikën tonë klinike.

Në Klinikë ne bënim rregullisht provën ushtrimore dyshkallore të “Masterit” për diagnostikimin e sëmundjes së arterieve koronare. Këtë provë dr. Hajro Shyti e kishte vënë në përdorim që në vitin 1966. Bënim gjithashtu monitorimet ambulatore me “Holter” ritmi. Edhe këtë e kishte vënë në zbatim Hajroja që në vitin 1970. Spitali nuk kishte “Holter”. Kishte një shkallë për provën e “Masterit”, të cilën e pati bërë më parë dr. Fedhon Meksi, kur punonte në Klinikën e Propedeutikës, nën drejtimin e prof. Nikolla Shurbanit, por jo sistematikisht. Prova ushtrimore në atë kohë ishte e domosdoshme për zhvillimin e kardiologjisë. Ditët e lira unë i kisha shumë të kufizuara.

Por, sa herë që nuk kisha ndonjë angazhim edhe në Klinikë, shkoja në spital, në klinikat e kardiologjisë. Kisha vënë re se në kabinetin e elektrokardiogramës kishte një biçikletë ergometrike të prodhimit hungarez, të cilën nuk e përdorte kush. Unë e njihja mirë provën stresore ushtrimore, se e kisha studiuar atë me themel. Më lindi ideja e vënies së saj në përdorim dhe e ngritjes së laboratorit të provës ushtrimore në biçikletë ergometrike. Ia shfaqa këtë ide prof. Yllit Popës, me të cilin ndanim shërbimin në njësinë tonë.

Ai e mirëpriti këtë, madje u gëzua se kjo gjë do të sillte përmirësim cilësor të shërbimit të kardiologjisë. Megjithatë, ai kishte rezervën se ku do të gjendeshin materialet. I thashë Yllit se mua më mjaftonte si fillim biçikleta ergometrike, të cilën e kisha kontrolluar dhe ishte në rregull, si edhe laborantja ekzistuese e elektrokardiogramës. Mirëpo hapja e një aktiviteti të ri në shërbimin e kardiologjisë që ai drejtonte në spital, kërkonte natyrshëm rregullsi në vijimësinë e tij.

Por, kjo ishte e pamundur për mua. Atëherë i thashë të më jepte një nga mjekët e tij, që ta përgatisja, e kështu problemi i rregullsisë së aktivitetit do të zgjidhej. U morëm vesh për këtë dhe ai më vuri në dispozicion dr. Martina Hebën. Pas kësaj më duhej natyrisht pak kohë që të shkruaja protokollin e provës dhe mund t’ia nisnim punës. Unë i njihja të gjitha protokollet e publikuara deri atëherë, të mirat dhe të metat e tyre.

Vendosa të hartoja një protokoll shkencor, që të garantonte në radhë të parë sigurinë e të sëmurit, një stresim ushtrimor fiziologjik, vlerësimin dinamik të elektrokardiogramës nga prehja, në drejtqëndrim, gjatë ushtrimit dhe çlodhjes, si edhe vlerësimin e përgjigjes ushtrimore të presionit të gjakut dhe të shpeshtisë së zemrës. Protokolli përcaktonte me rreptësi mënyrën e regjistrimit dhe të matjeve të të dhënave, si edhe atë të vlerësimeve të rezultateve.

Për të siguruar ruajtjen e të dhënave dhe dokumentimin e gjendjes së të sëmurit, protokolli shoqërohej nga modeli tip i regjistrimit të të gjitha të dhënave, sipas fazave të provës, bashkë me pyetësorin e të sëmurit, si edhe me modelin tip të përgjigjes së provës. Një kopje e përgjigjes i jepej pacientit. Tjetra, bashkë me dosjen e të dhënave të plota, ruhej në Kabinet. Kjo kishte dy qëllime: Së pari, që të gjitha të dhënat të ruheshin për studime shkencore dhe, së dyti, që mjeku, i cili do të merrte në dorë përgjigjen e provës ushtrimore, të gjykonte jo vetëm nga përgjigjja e shkruar e mjekut mbikëqyrës të provës, por edhe nga cilësia e të dhënave të dokumentuara.

Pasi e shkrova protokollin, ia dhashë dr. Martinës që ta studionte dhe njëherësh instruktova laboranten, Jolanda Sillo, një vajzë e re shumë e kujdesshme, e sjellshme, e disiplinuar dhe e përpiktë. Problemi ishte se spitali kishte vetëm një aparat elektrokardiograf njëkanalësh italian “Galileo”, me letër, ku shkruhej me bojë. Ai shërbente për të gjitha regjistrimet, si për ato të planifikuarat, ashtu edhe për urgjencat. Kjo ishte një pengesë serioze. Por, kur në dhjetor të vitit 1980 të gjithë ishim gati, pasi kishim printuar edhe një sasi të bollshme dosjesh përmbledhëse të të dhënave, ia nisëm punës.

Fillimisht provat i bëja të gjitha vetë dhe ato mund të bëheshin vetëm në ditët kur unë kisha mundësi. Kjo mund të ketë zgjatur dy a tre muaj. Kur u sigurova që mund t’ia besoja Martinës drejtimin e provës, e lashë atë të punonte e pavarur, ndërsa unë shkoja sa herë kisha mundësi. Mirëpo shumë shpejt letrës për elektrokardiografin “Galileo” po i vinte fundi. Mu kujtua se elektrokardiografi, një “Fukuda” që kishte qenë në shërbim të ish-Kryeministrit Mehmet Shehu, ishte i lirë.

U mora vesh me drejtorin e Klinikës Speciale, dr. Pavllo Milon, që të ma vinte në dispozicion atë bashkë me sasinë e letrës së tij me djegie, një sasi e mirë e saj. Pasi e morëm këtë elektrokardiograf, punët na shkuan shumë mirë. Kështu nga fillimi deri në fund të vitit 1981, ne kishim bërë rreth 600 prova dhe rezultatet i publikuam. Ky ishte një zhvillim i mirë për kardiologjinë shqiptare. Në këtë drejtim ishim tashmë në nivelin e vendeve të tjera. Përveç artikujve shkencorë që u shkruan, bazuar në të dhënat e mbledhura, unë shkrova edhe disertacionin tim për kandidat shkencash me materialin e atij viti.

Më pas me materialet e këtij kabineti do të shkruheshin shumë artikuj të tjerë, do të mbroheshin disertacione, do të dilnin disa doktorë shkencash, si edhe tre profesorë. Pas përvojës së rëndësishme që ne kishim fituar gjatë vitit 1981 e 1982, unë bëra përpara me protokollin e provës ushtrimore, duke e përshtatur atë për të sëmurët me infarkt akut miokardi të pandërlikuar brenda javës së tretë të sëmundjes. Me mendësinë e asaj kohe të bëje një provë fizike sforcuese, sigurisht, që nuk ishte një punë fort me mend.

Kështu që nuk ishte për t’u habitur pse vënia e saj në zbatim do të ndeshte në një rezistencë të paparashikuar. Ishin vetë kolegët tanë që i druheshin shumë asaj dhe ua kundërkëshillonin të sëmurëve, madje edhe atëherë kur ata vetë ishin të gatshëm ta bënin. Në të vërtetë kishin njëfarë të drejte. Në spitalin tonë të sëmurët me infarkt akut miokardi, qoftë edhe të pandërlikuar, mbaheshin deri dy muaj të shtruar, merrnin 6 muaj pushim mjekësor dhe 1 vit invaliditet me KEMP, ose edhe nuk ktheheshin më në punën e mëparshme.

Droja nga ndërlikimet që mund të vinin nga aktivizimi i hershëm fizik i këtyre të sëmurëve vazhdonte për inerci që prej kohëve të kaluara e jo vetëm në Shqipëri. Qysh në vitet ’50 amerikanët Levin dhe White kishin filluar t’i ngrinin të sëmurët me infarkt në kolltuk, shpejt pas qetësimit të dhembjes dhe kishin përshkruar dobinë e këtij aktivizimi të hershëm. Gjatë specializimit tim në Stokholm kisha ndjekur gjithashtu aktivizimin e shpejtë të të sëmurëve me infarkt.

Kishte ndërkaq shumë raportime, që dokumentonin uljen e vdekshmërisë nga infarkti si rrjedhojë e pakësimit të vdekjeve nga embolizmi i mushkërive. Ky ndërlikim nuk ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e infarktit, por nga venotromboza e thellë e gjymtyrëve të poshtme, e cila ndodhte për shkak të qëndrimit të zgjatur në shtrat. Unë isha në dijeni të të gjitha këtyre dhe e kisha të qartë se kjo mendësi duhej thyer. Kisha dhënë edhe shembull për këtë që në vitin 1973. Në pranverën e atij viti ishte shtruar në Klinikën Speciale me infarkt akut miokardi, ministri i Ndërtimit i asaj kohe, Shinasi Dragoti.

Unë e ngrita atë ndenjur në kolltuk, që në ditën e dytë të sëmundjes dhe ditën e tretë e lejova të shkonte në tualet. Kjo, natyrisht, nuk ishte një punë fort e mençur për atë kohë dhe afër mendsh nuk kaloi pa qortim të ashpër nga prof. Hoxha, por jo nga kolegët e mi kardiologë. Pacientin unë e kisha sqaruar shumë mirë dhe ai ishte në krahun tim. Në javën e dytë të sëmundjes e bëra atë të zbriste e të ngjiste shkallët. Tri ditë më pas e nxora për shëtitje në oborrin e Klinikës dhe e bëmë këtë deri në javën e tretë të sëmundjes, kur të gjithë u bindën se mund të dilte nga Klinika. Më caktuan mua ta shoqëroja gjatë pushimit mjekësor 3-javor në Vlorë.

Atje fillimisht ne shëtisnim së bashku një çerek ore paradite dhe po aq pasdite në rrugën përmes portokalleve. Pas një jave e bënim këtë dy herë në ditë nga një gjysmë ore. Kur u kthyem prej andej pas 3 javësh, ai nuk e ndjente veten të sëmurë dhe rifilloi punën. Përvoja me një të sëmurë të vetëm nuk është kurrë e mjaftueshme, por të trimëron dhe kur ajo bashkohet me raportimet e publikuara, merr peshën e vet. Në këtë drejtim unë kisha kohë që e kisha kapërcyer drojën.

E kisha lënë me Martinën që kur të gjente një të sëmurë që pranonte ta bënte provën, të më njoftonte. Natyrisht, të gjitha provat në fillim do t’i drejtoja vetë. Mirëpo, sapo shkoja në spital, më thoshin se i sëmuri kishte refuzuar. Kjo kishte ndodhur disa herë. Shumë prej tyre kishin deklaruar se ishin kolegët tanë që u kishin thënë të mos e bënin këtë provë. Nuk ishte e lehtë të thyhej një tabu, edhe pse shefi i shërbimit, prof. Ylli Popa ishte në mbështetjen tonë të plotë. Megjithatë, do të ndodhte një histori për të qeshur, e cila na ndihmoi ta kapërcenim këtë vështirësi…

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat