Raporti/ PD-LSI, partitë që premtojnë më shumë. PS i uli me 60% pas mandatit të parë

Shqipëria

Raporti/ PD-LSI, partitë që premtojnë më shumë. PS i uli me 60% pas mandatit të parë

Më: 4 mars 2021 Në ora: 12:07
Foto ilustrim

Partitë politikë bëjnë shumë premtime gjatë fushatave elektorale, një pjesë e të cilave janë të pamundura për tú plotësuar, si psh ajo për punësimin, apo ato për rritjen e pensioneve. PD dhe LSI kryesojnë për numrin e premtimeve, ndërsa Partisa Socialiste rezulton se i ka ulur ndjeshëm ato kur po garonte që të merrte mandatin e dytë në 2017-n.

Qendra Studimore Altax ka kryer një analizë që mat besueshmërinë e premtimeve zgjedhore dhe përmbushjen e këtyre premtimeve si pjesë e programeve qeverisëse.

Në tërësinë e tij raporti analizon premtimet elektorale pergjate 2009-2017 dhe më tej në pjesët në vijimësi analizohen edhe premtimet elektorale të përfshira në programet qeverisëse, sipas partisë apo koalicioneve që kanë fituar mandatin e votuesve për qeverisje.

Nga zgjedhjet e 2009 (298 premtime), në zgjedhjet e 2013 (270 premtime) dhe deri në zgjedhjet e 2017 (152 premtime) ka një pakësim me 49 përqind të premtimeve të partive. PD ka një pakësim me 3 përqind. PS ka një pakësim të premtimeve me 60 përqind. LSI ka një pakësim me 52 përqind.

Në vitin 2009 opozita (PS dhe LSI) ka një numër premtimesh sa trefishi i premtimeve të pozitës, ndërsa në 2017 pozita ka një numër premtimesh sa gjysma e partive të opozitës (PD dhe LSI).

Nga një krahasim i premtimeve për të tri fushatat zgjedhore lidhur me fokusin nga partitë, shikohet se premtimet specifike dhe të adresuara sipas sektorëve dhe problematikave të zhvillimit të vendit janë në masë dominuese mbi 90 përqind. Ndërkohë, premtimet e përgjithshme dhe ato politike që kanë një natyrë përfaqësimi të përgjithshëm janë shumë më të pakta në peshën e tyre. Këto premtime më së shumti përfaqësojnë tema për anti korrupsionin, për oligarkët, si dhe tema që kanë të bëjnë me të ardhmen e vendit sipas vizionit të partive.

Në 2009, partitë së bashku kanë bërë premtime më të shumta për bujqësinë dhe fshatin (47 premtime), si dhe për arsimin, rininë dhe gruan (47 premtime). Premtimet për politikën fiskale dhe buxhetin, si dhe premtimet për mbrojtjen sociale dhe pensionet zënë vendin e dytë, dhe në vijim një numër më i pakët i premtimeve janë dhënë për shëndetësinë (26 premtime), si dhe për infrastrukturën dhe veprat publike (23 premtime). Në 2013, Partitë kanë bërë premtime më së shumti për infrastrukturën dhe industrinë (40 premtime), për bujqësinë dhe fshatin (33 premtime), për buxhetin dhe politikën fiskale (30 premtime), si dhe për energjinë dhe pasuritë nëntokësore (29 premtime).

Në 2017, premtimet më të shumta në numër për të tri partitë së bashku i përkasin më shumë politikës fiskale dhe shpenzimeve buxhetore (45 premtime), sektorit të bujqësisë dhe peshkimit (26 premtime), si dhe sektorit të arsimit, gruas dhe rinisë (24 premtime). Sektorët e tjerë kanë një numër të vogël premtimesh.

Raporti thekson se ka mosreferim të premtimeve te politikat afatgjata, një është një realitet që duhet ndryshuar. Ndonëse në vitin 2017, të tria partitë kanë rritje të argumentimeve të premtimeve nga referenca te dokumentet strategjike, por përsëri për arsye të euforisë dhe dëshirës për të maksimalizuar votat për partitë e tyre kanë dalë jashtë formateve që përcaktonin strategjitë.

Premtimet për politikën fiskale

Të dyja krahët e politikës, si të majtët dhe të djathtët kanë premtuar sistematikisht uljen e taksave, apo edhe heqjen e tyre për bujqësinë, peshkimin apo edhe për industrinë minerare. Ndërsa, qasja është e njëjtë dhe ka tentuar në mënyrë të përsëritur të premtojë uljen e taksave, mekanizmat për ta realizuar atë kanë qenë të ndryshëm. Të dy palët në ngjashmërinë e tyre kanë harruar apo nuk kanë trajtuar me përgjegjshmëri fenomenin e evazionit tatimor dhe informalitetit në ekonomi, që ka minuar vazhdimisht qasjen për të bërë ekonomi nëpërmjet uljes së taksave. Sipas të dhënave në Tabelë, pesha e premtimeve për ulje dhe shkurtime normash tatimore në raport me premtimet gjithsej të secilës parti kanë një rritje të dukshme nga PD dhe nga LSI në vitin 2017, respektivisht me 9 përqind dhe 36 përqind. PS ka një numër më të vogël premtimesh në 2017, por në dy fushatat e kaluara ka ruajtur të njëjtën balancë me partitë e tjera në premtimet që ka bërë.

Premtimet për shtimin e buxhetit për sektorët

Kjo kategori premtimesh, sipas raportit, është pjesa e përbashkët për të gjitha partitë duke mos patur ndryshim në tipin e premtimit, por mënyrën si duan ta arrijnë atë duke përdorur në dekadën e fundit edhe politizimin e mënyrës së taksimit të të ardhurave individuale. Pesha e premtimeve për shpenzime shtesë nga buxheti në raport me premtimet gjithsej të secilës parti (PD dhe LSI) ka rënie graduale nga zgjedhjet e 2009 te zgjedhjet e 2017. PS ka një kah në rritje të peshës së premtimeve për shtimin e fondeve buxhetore në 2017, por që ndikohet nga ulja e numrit të premtimeve në 2017. Në krahasimin e premtimeve të ngjashme për sektorët e qeverisjes, si dhe për tema sociale shikohet se të gjithë partitë synojnë premtime që dalin përtej mundësive të buxhetit me 2-3 herë më shumë se një vit i zakonshëm fiskal duke marrë parasysh mundësitë e të ardhurave dhe shpenzimeve që mund të prokurohen dhe të realizohen si programe buxhetore.

Premtimet për punësimin

Në analizën e premtimeve të punësimit, nëse i referohemi studimeve të thelluara rezulton një lidhje mes rritjes së PBB-së dhe rritjes së punësimit, e cila vlen në rastin e premtimeve të bëra nga partitë shqiptare. Nisur nga parashikimet dhe fakti mbi treguesit e rritjes ekonomike të prezantuara në serinë e publikimeve të MFE, Kuadri makroekonomik dhe fiskal, 2009-2021 nuk ka patur asnjëherë mundësi reale të rritjes në periudhën 2009-2017 që të përkojë me nivelin e punësimit të premtuar. Nga llogaritjet e ALtax rritja maksimale e mundur me projeksionet e rritjes së PBB-së në Shqipëri nuk premton për më shumë se 22.000 – 25.000 vende pune për vitet me rritje ekonomike mbi 3.8 përqind dhe me një rritje të pandërprerë dhe jo me luhatje. Ndërkohë, kur shikojmë premtimet për punësimin nga secila parti politike ato kanë rezultuar premtime të pamundura për tu realizuar, as në gjysmën e nivelit të premtuar nga dy partitë e mëdha.

Premtimet për pensionet nuk janë mbajtur

Premtimet për rritjen e pensioneve janë një tjetër ngjashmëri në qasje të fushatave të partive politike. Të gjitha partitë kanë bërë premtime të natyrave të ndryshme, por që gjithnjë kanë demostruar vullnetin për rritjen e pensioneve. Nëse analizojmë faktin e rritjes së pensioneve nga viti bazë i analizës 2009 dhe deri më sot, ashtu si tregohet te Grafik 2, premtimet për një rritje pensionesh dy -tri herë në raport me vitin bazë, kur ballafaqohen me rritjen faktike të tyre deri në vitin 2020 nuk tregojnë më shumë se 36 përqind rritje.

Duke mos pretenduar që të kemi shteruar gjithë listën e argumentave të ngjashme, raporti vlerëson se premtimet e dhëna nuk janë mbajtur për këto segmente përfituesish, që lidhen me kategori mjaft të ndjeshme votuesish. Realizimi i premtimeve me tendencën e performancës së përmbushjes për periudhën 10 vjeçare mund të arrihet për të paktën prej 15-17 vitesh. Nisur nga llogaritjet, mendojmë se ka pak vend për premtime shtesë, duke qenë se llogaritjet fiskale nuk shikojnë hapësirë për shpenzime të shtuara të buxhetit, nisur nga koha që jetojmë dhe ndikimet që ka buxheti nga katastrofa natyrore e vitit 2019, si dhe kriza globale shëndetësore e vititi 2020 dhe që vijon edhe në vitin 2021.

PS ul premtimet

Në analizën e këmbënguljes ndaj premtimeve sipas sektorëve të partive politike, sipas Tabelës 9 raporti ka vërejtur një këmbëngulje më të fortë për premtime për grupet e votuesve, që lidhen me qasjet ideologjike të partive, por që kanë devijime përgjatë fushatave. Për pjesën sociale edhe pse ka një numër më të lartë premtimesh nga PS, shikohet se ato kanë ardhur në rënie përgjatë harkut kohor të zgjedhjeve 2009-2017. E njëjta situatë e premtimeve shikohet edhe për sektorin shëndetësor, si dhe për bujqësinë e turizmin.

Ndërsa, premtimet për infrastrukturën kanë luhatje të madhe, që lidhet më së shumti me politika që përkojnë me qasjet dhe strategjinë për të qenë pranë votuesve me sa më shumë premtime elektorale në momente, kur ato sipas sondazheve partiake vlejnë më shumë. Një luhatje e tillë dhe mungesë konsistence në premtime vërehet edhe për PD, që përveç premtimeve fiskale dhe buxhetore që vijnë në rritje, për pjesën tjetër të premtimeve nuk shikohet të ruhet qëndrueshmëria. PD ka një përsëritje konstante të premtimeve buxhetore dhe fiskale dhe me një tendencë në rritje të përqindjes së përsëritjes (nga 8% në 2009 në 17% në 2017). PS ka një përsëritje të premtimeve nga niveli 4% në 2009 në 10% në 2017. LSI ka një cikël të ngjashëm të premtimeve të përsëritura buxhetore dhe fiskale, ku në 2009 ka përsëritur vetëm 4% të premtimeve, ndërsa në 2017 ka përsëritur 15% të premtimeve të mëparshme. Në rastet e përsëritjeve të premtimeve ato shkojnë në funksion të shtimit të buxheteve për sektorët e bujqësisë, arsimit, si dhe të shëndetësisë.

Në asnjë rast partitë politike nuk kanë bërë premtime për shkurtim shpenzimesh buxhetore apo shtim të taksave, thekson raporti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat