Përballja Rama-Meta për dekretimin e ministrave/ Shtyhet seanca në Gjykatën Kushtetuese, ja njoftimi

Shqipëria

Përballja Rama-Meta për dekretimin e ministrave/ Shtyhet seanca në Gjykatën Kushtetuese, ja njoftimi

Më: 23 mars 2021 Në ora: 12:32
Foto ilustrim

Gjykata Kushtetuese njofton se është shtyrë seanca lidhur me kompetencat e presidentit për dekretimin e ministrave, ku përballë do të jenë kryeministri Edi Rama dhe presidenti Ilir Meta. 

Seanca e planifikuar të mbahej më 25 mars është shtyrë për një datë tjetër, e cila ende nuk bëhet me dije.

Sjellim në vëmendje që përballja mes kryeministrit dhe presidentit në Kushtetuese vjen pas padisë së depozituar nga Rama pas përplasjes me Metën për mosdekretimin e ish-ministrit të Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj.

Meta asokohe refuzoi të dekretojë Cakajn, i cili mbajti postin e ushtruesit të detyrës, ndërsa ministër i Jashtëm me dekret ishte kryeministri Rama.

Njoftimi i plotë

Gjykata Kushtetuese njofton se seanca plenare e caktuar në datën  25.03.2021, ora 10:00, për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga Kryeministri i Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Zgjidhja e mosmarrëveshjes së kompetencave ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Interpretimi kushtetues i nenit 98, pika 1, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë”, bazuar në nenin 44/a të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar, është shtyrë në një datë tjetër. Në lidhje me datën dhe orën e seancës plenare, do të ndiqen rregullat përkatëse të njoftimit të palëve dhe të publikimit të saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat