Bashkëpunim Rama-Basha? Analistët zbërthejnë mesazhin e ftesës së kryeministrit

Shqipëria

Bashkëpunim Rama-Basha? Analistët zbërthejnë mesazhin e ftesës së kryeministrit

Më: 15 prill 2021 Në ora: 17:00
Lulzim Basha dhe Edi Rama

Ftesa e kryeministrit, Edi Rama drejtuar liderit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha për bashkëpunim ka ngjallur debat në sferën publike.

Analisti Ben Andoni, tha se për shkak të problematikave dhe stadit ku ndodhet vendi, një bashkëpunim mes dy partive kryesore do ishte alternativë e arsyeshme.

“Në fakt është e ndershme të pyeten dy realisht krerët e dy partive, sepse vazhdimisht na befasojnë, Rama është mësuar të  befasojë dhe jo pak herë ka befasuar edhe vetë Z. Basha. Duke u kthyer në problematikën në vendi tonë. Unë mendoj se është e arsyeshme dhe në stadin ku është vendi ynë. Pas dy ngjarjeve madhore, tërmeti dhe pandemia.  Unë besoj se një qeverisje që e kalon peshën e dy partive kryesore është e nevojshme në vend, unë personalisht e çoj deri tek një qeveri teknike, e cila të marrë peshën e madhe të problematikave”, tha ai.

Ai thotë se kjo ftesë e liderit të mazhorancës do të dëshmojë sinqeritetin e saj vetëm pas 25 prillit.

“Kjo do të marrë vlerë në momentin  pas 25 prillit, nëse do jenë numrat e nevojshëm dhe atëherë do duket sa e sinqertë është oferta e Ramës për Bashën”, tha ai.

Gazetari Bledian Koka pohon se kjo ftesë drejtuar Bashës nga Rama është truk elektoral, e cila sipas tij synon të largojë vëmendjen nga fushata e tij që nuk ka asnjë program për qytetarët.

“Kemi të bëjmë me një truk elektoral të Ramës i cili në mungesë të një programi real konkret, të premtimeve dhe fantazisë për të gënjyer me premtimet elektorale ka zgjedhur të bëjë këtë betejën ose këtë lëvizjen bajate që nuk i thotë asgjë askujt pasi e njëjta përrallë u është treguar shqiptarëve edhe në 2017”, tha ai.

Po ashtu edhe pedagogu, Romeo Hanxhari shprehet se ftesa për të bashkëqeverisur është thjesht “taktikë elektorale”.

“Taktikë elektorale e pastër dhe jo e sinqertë. Rama ka treguar mungesë respekti për kundërshtarët e vet, ju e kujtoni talljen me fotot. Nuk mund të ketë ftesë të sinqertë kur ai i konsideron kundërshtarët edhe të padenjë për ta kundërshtuar atë”, tha Hanxhari.

Së pari sipas tij, synohet që të zhvendoset vëmendja nga tema të tjera si gjendja ekonomike në vend por edhe për të krijuar idenë që kjo mazhorancë do të jetë në qeveri edhe pas 25 prillit.

“Rama e vendos veten në avantazh dhe thotë se ftoj z. Bashën që të qeverisë me mua. Është ftesë për të futur idenë se mazhoranca ekzistuese do të vazhdojë të jetë mazhorancë dhe kërkon të dekurajojë ato votues që mund të votojnë për ndryshimin duke u thënë se situata do të jetë po kjo. Nuk shikoj asnjë lloj mundësie që kjo të ndodhë”, shtoi më tej pedagogu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat