Kushtetuesja hap 100% listat/ Nga ministra e kryetarë partish, 34 deputetët që do të humbisnin mandatin

Shqipëria

Kushtetuesja hap 100% listat/ Nga ministra e kryetarë partish, 34 deputetët që do të humbisnin mandatin

Më: 1 korrik 2021 Në ora: 09:38
Kuvendi i Shqipërisë

Gjykata Kushtetuese mori dje një vendim që parashikon hapjen 100% të listave të zgjedhjeve. Konkretisht, Gjykata Kushtetuese vendosi të shfuqizojë pikën 3 të Nenit 163 në Kodin Zgjedhor, i cili flet për herësin në shpërndarjen e mandateve për deputetë.

Kjo pikë parashikonte që kandidatët, të cilët mund të ishin vendosur në listën e sigurt të kryetarëve të partive, rrezikonin vendin në parlament vetëm në rastin kur kandidatët e tjerë të renditur më poshtë siguronin më shumë se 10 mijë vota.

Ky vendim i Kushtetueses eliminon pengesën e herësit që një kandidati i duhet për të kapërcyer në pjesën fituese të listës, pasi mundëson renditjen e thjeshtë të kandidatëve për deputetë nga ai që merr më shumë vota deri tek ai më pak i pëlqyer.

Në zgjedhjet e 25 prillit herësin arritën ta thyenin kandidatët socialistë Fatmir Xhafa dhe Ornaldo Rakipi dhe demokrati Luçiano Boçi, por me skemën e rë në parlament do të futeshin edhe shumë emra të tjerë.

Gjithsesi, vendimi pritet të zbatohet zgjedhjet e ardhshme, pasi nuk ka fuqi prapavepruese.

Po si do ndryshonin mandatet nëse do aplikohej vendimi?

Të dhënat e përpunuara nga Instituti i Studimeve Politike (ISP) tregojnë se 34 nga 140 deputetë ose 24% e parlamentit të ri nuk do të ishin zgjedhur dhe as mandatuar si deputetë, për shkak të numrit të votave që ata kanë marrë nga qytetarët.

Image

Tabela bashkëngjitur ilustron listën e plotë të deputetëve dhe të partive politike që do të humbnin mandatin dhe listën e deputetëve që do të fitonin mandatin nëse formula e përcaktuar nga GJK do të ishte zbatuar më 25 prill 2021. Për lehtësi vlerësimi tabela pasqyron edhe votat e deputetëve që kanë fituar mandat për shkak të pragut mbi 10 mijë vota të herësit, si dhe votat e deputetëve që nuk kanë arritur të fitojnë mandat edhe pse janë më të votuar nga qytetarët. Midis emrave që do të humbnin mandatin bien në sy ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kryetari i PBDNJ Dule, numri dy në LSI Vasili, deputetë të njohur si Bushka, Felaj apo Bylykbashki, etj. tabela pasqyron të dhënat e detajuara bazuar në secilin qark. Nga deputetët që do të siguronin mandat parlamentar janë edhe emrat e njohur Majko, Kodheli apo Beqja nga PS, Spahia, Dogjani dhe Cara në PD, Spahia e Kërpaçi në LSI, etj.

Image

Në nivel të partive politike, PS do të duhej të zëvendësonte 14 deputetë ose 18% të grupit, PD 16 deputetë ose 27% të grupit, LSI 2 nga 4 deputetë e shprehur në 50% të grupit dhe PSD 3 nga 4 deputetët, pra 67% të grupit. Në total do të humbnin mandatin parlamentar duke u zëvendësuar 34 deputetë ose 24% e numrit total të deputetëve në parlamentin e ri.

Analiza të tilla statistikore vlejnë për të nxjerrë në pah faktin sesi një praktikë tashmë antikushtetuese mund të tjetërsojë votën dhe vullnetin qytetar në masën 24% duke sjellë në parlament së paku 34 deputetë më pak të votuar sesa 34 të tjerë që penalizohen për shkak të sistemit zgjedhor të përcaktuar nga Kuvendi në korrik 2020.

“Të dhënat janë elementë kritikë sesi partitë politike nuk kanë arritur të përfshijnë në listat e kandidimit individë me mbështetje elektorale, por kanë përdorur skema e formula taktike që sigurojnë mandate me legjitimitet të cunguar.

Të dhënat janë gjithashtu një bazë e mirë referuese për reformën e ardhshme elektorale dhe për nevojën jetike të partive politike për një sistem karriere dhe merite brenda tyre, përpara paraqitjes së listës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare”, thuhet në analizën e Institutit te Studimeve Politike.

Pavarësisht se përbërja e parlamentit të ri nuk do të ndryshojë dhe efektet e heqjes së pragut për herësin të jetësohen në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, publiku, media, ekspertët dhe vetë politikanët e cenuar nga ky nen, tashmë antikushtetues, do ta përdorin vendimin e GJK për të vënë në dyshim legjitimitetin e një pjese të deputetëve, të cilët nëse vendimi do të ishte aplikuar në zgjedhjet e 25 prillit, nuk do të ishin pjesë e parlamentit të ri 2021-2025.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat