Bllokohen rrugët dhe përmbyten bizneset në Kukës

Shqipëria

Bllokohen rrugët dhe përmbyten bizneset në Kukës

Më: 11 korrik 2021 Në ora: 21:25
Ilustrim

Pasditen e kësaj të shtune qyteti i Kukësit, por dhe zonat përreth janë përfshirë nga stuhi të forta shiu duke shkaktuar probleme të shumta.

Uji ka vërshuar rrugëve të qytetit dhe për pasojë janë përmbytur katet e para të bizneseve dhe shtëpitë e banimit.

Probleme janë regjistruar edhe në infrastrukturën rrugore. Rruga që lidh Kukësin me fshatin turistik të Shishtavecit është bllokuar pas rrëshqitjeve të dherave.

Rënia e masivit të dherave ka krijuar radhë të gjatë automjetesh në të dyja kahet e lëvizjes në vendin e quajtur “Gryka e Vanave”.

Fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar, kurse mjetet e rënda janë në terren dhe po punojnë për pastrimin e rrugës.

Zona e Shishtavecit ndodhet 33 kilometra në juglindje të qytetit të Kukësit dhe arrihet përmes “Grykës së Vanave”.

Ky fshat malor, që ndodhet në kufi me Kosovën është përfshirë në projektin “100 fshatrat turistikë” të Shqipërisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat