Barnat pa kontroll, Ceko: Cënim i sigurisë kombëtare, KLSH të gjejë edhe ku shkojnë 150 mln euro sigurime shëndetësore

Shqipëria

Barnat pa kontroll, Ceko: Cënim i sigurisë kombëtare, KLSH të gjejë edhe ku shkojnë 150 mln euro sigurime shëndetësore

Më: 19 gusht 2021 Në ora: 22:01
Ilustrim

Përgjatë vitit 2020 Agjencia e Barnave nuk ka ushtruar asnjë kontroll për cilësinë e ilaçeve që hyjnë në Shqipëri. Gjetjet janë paraqitur në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Enriko Ceko, ekspert ekonomie, në një intervistë për Rtv Ora me gazetaren Besmira Pelushaj thotë se kemi të bëjmë me korrupsion të niveleve të larta dhe kjo kërkon hetim nga prokuroria.

Ceko: Laboratorët mjekësorë në Shqipëri janë të paakredituar, nuk njihen ndërkombëtarisht. Përverç kësaj janë dhe të pacertifikuar me standardet e menaxhimit të cilësisë.Ti duhet të kesh procedura, procese, regjistra dfhe në këto regjistra duhet të mbash të dhënat dhe rekordet në mënyrë që ti lehtësisht të auditohesh. Të mos mbash procedura, të mos kesh procedura, të mos kesh proces të shkruajtura, të mos kesh rekorde në regjistra është korrupsion në nivele të larta dhe që patjetër duhet hetuar.

KLSH është një institucion që evidenton masa organizative, administrative, disiplinore dhe jep dhe rekomandime si mund të përmirësohet puna apo se ku mund të përmirësohet ligji apo aktet nënligjore. Por institucioni tjetër që merret direkt me këtë punë është prokuroria, institucioni i hetimit që duhet të ndërhyjë dhe të bëjë punën e saj. KLSH është institucioni i nivelit më të lartë të auditit, kontrollit ekonomik dhe financiar por në fund të fundit KLSH është një institucion që shërben si Agjenci e Parlamentit.

Ceko thotë mungesa e kontrollit të cilësisë së barnave ka cënuar direkt sigurinë kombëtare.

Ceko: Bëhet fjalë për sigurinë, garancinë dhe cilësinë e barnave dhe të pajisjeve mjekësore. Është e njëjta gjë si me sigurinë, garancinë dhe cilësinë ushqimore. Të dyja janë pjesë e sigurisë kombëtare. Është cënuar siguria kombëtare. Një popull, një komb që konsumon barna të pakontrolluara, të pamirëmenxhuara është një popull që është përballë një risku shumë të lartë të përdorimit të produkteve dhe shërbimeve të cilat cënojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë jetën e qytetarëve. Ndërsa në aspektin ekonomik, një komb që përdor ilaçe, barna të rrezikshme, të skaduara, atëherë këtu kemi të bëjmë me produktivitetin e një kombi. Dihet botërisht që Shqipëria e ka produktivitetin më të ulët në Europë në krahasim me vendet e tjera. Dihet po ashtu nga të gjithë që niveli i sëmundshmërisë në Shqipëri është shumë herë më i lartë se në vendet e tjera të Ballkanit. Është një kosto shumë e madhe për qytetarët e Shqipërisë që të konsumojnë ilaçe të cilat nuk japin efekt për të përmirësuar shëndetin e tyre.

Sipas Cekos, Shqipëria ka një diferencë shumë të madhe me vendet e BE ku duam të shkojmë në lidhje me shëndetësinë.

Ceko: Diferenca është kjo, një qytetar shqiptar i përballon 90% të kostove të shëndetit të tij gjatë vitit vetë dhe vetëm, 10% qeveria, flasim për shëndetin primar dhe sekondar. Në Europë është e kundërta, 90% i përballon qeveria dhe vetëm 10% i përballon qytetari që lidhen me operacione plastike, kozmetike. Në Danimarkë edhe pse i ka 50 mijë dollarë të ardhurat për frymë në vit 90% të shpenzimeve shëndetësore ja përballon shteti, kurse në Shqipëri edhe pse të ardhurat janë 5 mijë dollarë për frymë 90% të shpenzimeve shëndetësore qytetari i përballon vetë.

Por jo vetëm cilësia e barnave është shqetësim. Eksperti i ekonomisë ka një propozim konkret për KLSH në auditin e radhës që do të zhvillojë në këtë sektor.

Ceko: Ne që jemi në punë, të siguruar, paguajmë sigurime shëndetësore dhe sigurime shoqërore. Sigurimet shoqërore janë 23% e pagës ndërsa ato shëndetësore janë 3.4% punëdhënësi dhe 3.4% punëmarrësi, 6.8%. Në total 30%. Gjithë sigurimet që mblidhen në total janë 650-700 milion euro. Nga këto 100-150 milion euro janë sigurime shëndetësore, të gjitha shkojnë te Instituti i Kujdesit Shëndetësor. Pyetja e madhe që duhet ti japë përgjigje KLSH është çfarë bëhet me këto 150 mln euro. Buxheti i shtetit për shëndetësinë është 100-150 mln euro.Në rastin më të mirë janë blerë medikamente, në rastin më të keq janë bërë investime kot. Prishen qendra shëndetësore ndërtohen qendra shëndetësore, prishen spitale ndërtohen spitale, blihen pajisje mjekësore të cilat nuk funksionojnë. Ka një shpërdorim dhe abuzim shumë të madh të parave të buxhetit të shtetit. Por meqenëse buxheti i shtetit për shëndetësinë është 100-150 milion euro, ja 200 milion euro, janë para që paguajmë ne për sigurime shëndetësore apo janë para të tjera që merren nga taksapaguesit, kjo duhet qartësuar. Çfarë bëhet me këto para që vilen nga Instituti i Kujdesit Shëndetësor. Ne të gjithë paguajmë sigurime shëndetësore por jo të gjithë sëmuremi. Supozojmë se 10% e popullsisë sëmuret dhe kjo 10% e popullsisë përdor këto 150 milion euro, çfarë bëhet? Duhet të ketë transparencë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat