Berisha: 60% e Kryesisë së PD e emëruar nga kryetari, të japin dorëheqjen

Shqipëria

Berisha: 60% e Kryesisë së PD e emëruar nga kryetari, të japin dorëheqjen

Më: 19 nëntor 2021 Në ora: 19:57
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha ka mbledhur sot në Librazhd mbështetësit e tij në “Foltoren” e nisur prej rreth dy muajsh. Berisha deklaroi se 60 % e kryesisë së PD është e emëruar nga kryetari dhe i bëri thirrje të dorëhiqen. Ai tha gjithashtu se në Kuvendin e 11 dhjetorit Azem Hajdari do të shpallet president nderi i përjetshëm i PD. 

Sipas Berisës, Foltorja është bërë një mrekulli e tillë në një kohë të shkurtër se aty bashkohen njerëz të lirë dhe risjellin në këtë vend atë që e zhdukën, narkoqeveria dhe pseudoopozita. Ai theksoi se Foltorja është bërë e dashur dhe e vlerësuar në arenën ndërkombëtare. 

“Janë jo të paktë personalitete në Shqipëri dhe jashtë që shprehen se Foltorja është i vetmi zhvillim pozitiv i 8 viteve në Shqipëri. Ftoj dhe pengkryetarin të vijë në Foltore dhe t’ju dëgjojë. Ai nuk vjen dot, nuk e lënë, ka humbur veten e tij. 


Çështja se kjo betejë është për interesat personale të Sali Berishës është absolutisht e pavërtetë. Çështjen e dinjitetit e kisha personale, por jo vetëm se jam votuar e mbështetur nga shqiptarët më shumë se kushdo tjetër. Megjithatë mbrojtjen e dinjitetit tim unë ia besova gjykatës. Kam shumë miq në SHBA, Europë e kudo, qindra miq, njohje shumëvjeçare, asnjërit prej tyre nuk i kam kërkuar ndihmë sepse kam zgjedhur sallën e gjyqit. Të vërtetat të dalin në gjyq. Rezultati është ky, sot në hapësirën europiane është krejtësisht tjetër qëndrim. Përfaqësues të vendeve mike më kanë dërguar mesazhe direkte se ne nuk pajtohemi me këtë qëndrim. Së pari nuk jemi pyetur, së dyti nuk mund të pranojmë të thuhet kemi fakte, por s’i themi. Së treti, e qartë si drita e diellit se gjithçka është stisur për të ndihmuar qeverinë e shkatërruar opozitën në funksion të qeverisë. Së katërti, nga ata që kanë parë dosjen, ka zero, s’ka asnjë fakt, s’ka asnjë dokument, s’ka asnjë provë. Unë për të mos thënë këtu se elita kryesore republikane e sheh betejën tonë me mafien e Soros si një betejë etike për mbrojtjen e vlerave konservatore jo vetëm në Shqipëri por dhe më gjerë. S’ka lidhje me foltoren kjo. Me foltoren ka lidhje një gjë tjetër, pengkryetari mori një vendim me zero vlerë për të larguar mua nga grupi parlamentar. Një kryetar që ka humbur katër zgjedhje nuk mund të pranohet kurrë më tutje si kryetar”, tha Berisha. 

Duke dëgjuar ankesat e qytetarëve, Berisha tha se ne duam të kthejmë pushtetin tek ju. “Bashkimi është synimi ynë madhor. Forca buron nga liria, nga vota. Ju do të zgjidhni me votën tuaj. Niveli juaj politik shumë i lartë dhe idealet tuaja janë shumë të pastra. Jam dëshpëruar shumë kur kam parë kryesinë e PD, 60% e saj e emëruar nga kryetari. Forma më komuniste. Ju bëj thirrje atyre jepni dorëheqjen nga kjo kryesi. Për të qenë në Kryesi duhet të votohesh me votë në Këshillin Kombëtar. Gjatë atij votimi 5% e anëtarëve të Këshillit kishin të drejtë të votonin anëtarin e kryesisë. Do rivendosim normat demokratike shumë më të fuqishme dhe më të gjera se ç’i kemi pasur”, tha ai.

Berisha theksoi se PD do të kthehet tek shtyllat kryesore të ekzistencës së saj, një prej tyre të përndjekurit politikë.

“Në Kuvendin e datës 11 dhjetor, tribuni i pluralizmit shqiptar, Azem Hajdari do të shpallet president nderi i përjetshëm i kësaj partie. Së dyti, e vërteta është se në analizë të ftohtë një nga shkaqet më themelore të dështimit tonë 8-vjeçar pa asnjë diskutim është largimi i PD-së nga shtyllat kryesore të ekzistencës së saj, të përndjekurit politikë, pronarët dhe vlerat kryesore të forcave konservatore në botë, familja, dinjiteti njerëzor, prona, interesi kombëtar. Unë u them demokratëve se në qoftë se PD mbijetoi në ’97, mbijetoi nga mbështetja e të përndjekurve politikë. Ata qëndruan të pamposhtur. Asnjëherë nuk harroj unë figurat e tyre, qëndresën e tyre në çdo vështirësi që mund të binim, ata ishin të palëkundur, të pamposhtur. I pamposhtur ishte Pjetër Arbnori, Ali Spahia. Qe periudhë e vështirë, periudhë që u bë gjithçka të asgjësonin PD-në, sepse ata nuk i falnin PD-së përmbysjen e diktaturës. Ata donin të vazhdonin pas 91-92 siç vazhdoi Milloshevici në Beograd dhe përmbysja e pushtetit ishte çështja që i bënte më hakmarrës se kurrë. Të përndjekurit ishin parzmorja, ndaj ne do kthehemi fuqimisht në idealet tona”, tha Berisha.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat